Policia në lindje të Pakistanit ka arrestuar 129 myslimanë nën dyshimin se kanë sulmuar komunitetin e krishterë pas dëmtimit të Kuranit nga një i krishterë.
Në shenjë hakmarrjeje një grup i myslimanëve ka sulmuar kishat dhe shtëpitë e minoritetit të krishterë. Autoritetet në Pakistan kanë angazhuar edhe ushtrinë për të kthyer rendin.
Të krishterët që jetojnë në qytetin Jaranwala, janë vendosur në një zonë të sigurt nga autoritetet.
Së paku një kishë është djegur dhe katër shtëpi janë dëmtuar nga sulmi i grupit të myslimanëve.
Një delegacion i bashkësisë islame ka arritur në qytet për të ndihmuar në qetësimin e situatës teksa ushtria ka patrulluar.
Nën ligjet e blasfemisë në Pakistan, të gjithë ata që shpallen fajtorë për fyerjen e islamit apo figurave fetare mund të dënohen me vdekje.
Ani pse autoritetet deri më tani nuk kanë dënuar askënd, akuzat për dëmtime të librave fetarë shpesh kanë nxitur trazira në Pakistan.