Botë

Mes historive klandestine në Afganistan, njëra bën diferencën

Një foshnjë u gjet në rrënoja pas një bastisjeje amerikane në Afganistan. Por kush saktësisht u vra dhe pse?

Fshatari afgan kishte frikë se ushtarët amerikanë mund të vinin. Dhe në një natë të freskët vjeshte, derisa fëmijët e tij po flinin, helikopterët gjëmuan lart.

Sapo dëgjoi zhurmën e parë të të shtënave, ai bërtiti, në mënyrë që gruaja dhe 10 fëmijët e tij të mbroheshin. Vajza e tij e vogël e kapi nga shtrati motrën e saj foshnjë që po flinte. Shpërthimi shkaktoi një tronditje të madhe në shtëpi.

“Motra ime e vogël më ra nga krahët”, pëshpëriti vajza, tani adoleshente, aq e qetë sa mezi dëgjohet.

Sot, ajo që ndodhi saktësisht atë natë është në qendër të një mosmarrëveshjeje të ashpër ndërkombëtare, mbi kujdestarinë e një foshnje jetime të gjetur mes rrënojave. Beteja ligjore e profilit të lartë vendos një familje afgane kundër një familjeje amerikane dhe ka tërhequr vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë dhe talebanëve.

Qeveria afgane dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përcaktuan se foshnja i përkiste këtij fshatari afgan. Miqtë dhe familjarët thonë se ai ishte fermer, jo militant. Kryqi i Kuq gjeti të afërm të mbijetuar dhe e bashkoi atë me ta.

Megjithatë, një avokat i Marinës Amerikane, major Joshua Mast, beson se ai duhet të marrë vajzën. Ai këmbëngul se fëmija është jetim, pa shtetësi, i luftëtarëve të huaj që jetonin në një kompleks të al-Qaidas dhe bindi një gjykatës të Virginias që t’ia siguronte birësimin nga 11.265 kilometra largësi.

Po të mos ishte kjo vajzë e vogël, tani 4 vjeçe, ngjarjet që nisën natën e 5 shtatorit 2019, në këtë rajon të largët e të varfër, mund të ishin mbyllur mes historive klandestine të mijëra bastisjeve të ushtrisë amerikane dhe afgane të kryera gjatë luftës së gjatë. Por dokumentet, dikur sekrete, e tani të depozituara në gjykatë, zbulojnë detaje mbi këtë bastisje, me polemikat e vazhdueshme mbi atë se kë vrau ushtria kur rrëzuan muret në mes të natës në Afganistan, nëse ata njerëz ishin luftëtarë apo civilë, dhe nëse ushtria u përpoq ndonjëherë që ta zbulonte.

Image
Major Joshua Mast dhe gruaja e tij, Stephanie, duke shkuar në Gjykatën e Qarkut në Charlottesville, Virginia, më 30 mars 2023

“Përmbledhja e Misionit”

Familja Mast ka dorëzuar një përmbledhje të bastisjes në një gjykatë federale. Përmbledhja përshkruan se si u vranë gjashtë luftëtarë armiq dhe ndoshta një civil. Fëmija i vetëm që përmendet në dokument është foshnja e plagosur.

Por të mbijetuarit dhe fshatarët që nxorën trupat nga rrënojat i thanë Associated Press se më shumë se 20 njerëz u vranë atë natë. Midis tyre ishte ky fermer vendas, gruaja e tij, dhe pesë fëmijët e tyre, të moshës 4 deri në 15 vjeç. Fshatarët thanë se pas bastisjes, ata gjetën edhe katër fëmijë të tjerë të fermerit - tri vajza dhe një djalë - të mbuluar nga dheu, duke qarë mes flakëve dhe rrënojave.

Avokatët thanë për qeverinë federale se përmbledhja e paraqitur nga familja Mast në gjykatë “nuk duket të jetë krijuar ose miratuar nga Departamenti i Mbrojtjes”. Megjithatë, ata i kërkuan gjykatës ta vulosë atë sepse pretendojnë, se përmban informacione qeveritare që publiku nuk duhet t’i shohë.

“Dokumenti ‘Përmbledhja e Misionit’ u krijua nga Major Mast në vitin 2019 për t’u përdorur më pas në përpjekjet e tij për të birësuar fëmijën afgan, përmes qasjes së tij në informacionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, por nuk pasqyron domosdoshmërisht të dhëna të sakta ose informacion të plotë”, tha një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes për AP-në.

Ushtria refuzoi të rrëfehej për rastin e bastisjes dhe i kërkoi AP-së që në vend të kësaj të përdorte një version të redaktuar që fsheh disa detaje, duke përfshirë çdo referencë për vdekjet e civilëve. Disa ushtarë të përfshirë në bastisje, të cilët kanë dëshmuar në seancat gjyqësore shtetërore me dyer të mbyllura për atë që ndodhi atje, nuk pranuan të komentojnë dhe ajo që ata thanë në tribunën e dëshmitarëve mbetet e mbyllur.

AP-ja foli me 12 fshatarë të cilët përshkruan atë që ndodhi natën e 5 shtatorit 2019, duke përfshirë katër që thanë se ishin vëllezërit e motrat dhe xhaxhallarët e foshnjës jetime. AP-ja ka rënë dakord të mos publikojë emrin e fshatit apo familjes, nga frika e konfliktit fisnor dhe hakmarrjes nga talebanët, të cilët tani sundojnë vendin. Por fqinjët thanë se ata nuk panë kurrë askënd të kthehej për të dhënë llogari për të vdekurit dhe të plagosurit, përfshirë fëmijët, ose për të verifikuar nëse ata ishin militantë.

Kunati i fermerit qante derisa ecte përreth vendit të bastisjes, duke treguar se ku kishte gjetur nipërit dhe mbesat e tij të mbijetuara dhe kufomat e gjymtuara të të dashurve të tij. Ai i tregoi AP-së se ku jetonin, ku uleshin, ku hanin. Fermeri ishte rreth 55 ose 60 vjeç, rriste misër dhe grurë dhe ishte i varfër, por mjaft bujar për të ndarë paratë që kishte.

“Tani që vij këtu dhe i shikoj këto vende, nuk më largohen nga sytë skenat e trishtueshme”, tha ai.

Fqinjët e huaj

Në këtë shkretëtirë të largët, familjet jetojnë mes rrënojave të një lufte 20-vjeçare - tankeve të ndryshkura, shtëpive të bombarduara e të mbushura me plumba.

Është një jetë e vështirë: nuk ka rrugë të asfaltuara, nuk ka ujë të rrjedhshëm apo rrymë, nuk ka banjë.

Edhe pse vendasit thanë se fshati i tyre i vogël nuk ishte shënjestruar nga ushtria amerikane përpara shtatorit 2019, ata kishin gjithmonë frikë nga sulmet ajrore, sulmet e natës dhe luftimet e ashpra që shkatërronin komunitetet përreth tyre. Shumë bastisje ndodhën në vende si ky - të vështira për t’u arritur, larg mediave me bazë në qytet dhe organizatave të të drejtave të njeriut që mund të shqyrtojnë vdekjet e civilëve.

Fermeri dhe familja e tij kujdeseshin për dhitë dhe delet e tyre në oborrin e shtëpisë së tyre, treguan fshatarët.

Shtëpia ishte një kompleks njëkatësh me baltë dhe kashtë, pa dritare. Si shumë në këtë rajon konservator, gratë qëndruan brenda mureve për pjesën më të madhe të jetës së tyre.

Vitet dhe mosha mund të jenë të vështira për t’u llogaritur në Afganistan, i cili përdor kalendarë të ndryshëm nga pjesa më e madhe e botës, por fqinjët thanë se fermeri dhe familja e tij kishin jetuar atje për një kohë të gjatë.

Fqinji i tyre, Abdul Khaliq, tha se ai e njihte fermerin për më shumë se 20 vjet dhe e përshkroi atë si të sjellshëm dhe të dashur.

“Ai ishte një person shumë i mire”, shtoi Khaliqi.

Gruaja e fermerit ishte më e re, rreth 40 vjeçe, dhe ata ishin të martuar për rreth 25 vjet. Ajo ishte vajza e një imami të një xhamie lokale dhe u martua pranë familjes së saj.

Nuk ka asnjë mënyrë që AP-ja të mund të verifikonte në mënyrë të pavarur se cilët ishin prindërit e foshnjës. Dokumentet e identifikimit si certifikatat e lindjes nuk lëshohen në këtë rajon të largët - veçanërisht për gratë dhe vajzat - dhe pak kanë telefona celularë ose kamera. AP-ja nuk ka gjetur asnjë të dhënë të lindjes së foshnjës së fermerit apo fotografi të saj me familjen para bastisjes.

Pretendimet e dy qeverive

Qeveria afgane pretendoi që fëmija nuk është e një familjeje amerikane, ndërkohë që qeveria e SHBA-së ra dakord që vajza, e cila përmendet në dosjet gjyqësore si “Baby Doe”, i përkiste një familjeje afgane: “Baby Doe është një shtetase e Afganistanit me familje biologjike në Afganistan”, kanë shkruar avokatët e qeverisë federale në dosjet gjyqësore.

Por familja Mast nuk pajtohet.

Disa familje të huaja mbërritën në fshat rreth vitit 2017 dhe u vendosën në një shtëpi pranë fermerit afgan dhe familjes së tij, thanë fqinjët. Këta burra, gra dhe fëmijë i ndante një mur, por ishin të rezervuar dhe flisnin një gjuhë të panjohur, shpjeguan fshatarët për AP-në.

Të huajt me lëkurë të çelët dhe mjekër ishin burim thashethemesh. Disa fqinjë spekuluan se ata ishin nga një provincë tjetër, e largët afgane, nga Turqia, ose nga “Perëndimi”.

Mekaniku lokal, Abdul Rahim, 25 vjeç, tha se të huajt shpesh i sillnin makinat, kamionët dhe motoçikletat e tyre për t’i rregulluar në dyqanin e tij. Pa marrë parasysh se nga vinin, një gjë ishte e qartë për Rahimin: Atyre u pëlqenin armët e tyre. Ata pastronin armët derisa ai ua rregullonte makinat.

“U përpoqa shumë të flisja me ta, por nuk mund ta kuptoja gjuhën”, tha Rahimi. “Nuk jam grindur asnjëherë me ta”.

Në Afganistan, mikpritja është e një rëndësie të madhe dhe askush nuk u përball me të huajt vizitorë. Vendasit thanë se ishin miqësorë, por të kujdesshëm.

Fermeri i tha kunatit të tij se po mendonte të transferonte familjen e tij në shtëpinë e një të afërmi tjetër aty pranë. Ai ishte i frikësuar se ushtria do të mund të vinte për të huajt, që jetonin afër shtëpisë së tij.

(Vazhdon)

Përktheu: Forca Jashari