Përballë ngarkesave dhe punës me presion të lartë, të bullizmit dhe të strukturave të dobëta mbështetëse, mjekët kanë të paktën dy herë më shumë gjasa që të kryejnë vetëvrasje sesa popullata e përgjithshme
(Al-Jazeera) – Në fillim të viteve 80, kur Amandip Sidhu po rritej në Harrow, periferi e skajit veriperëndimor të Londrës, familja e tij me prejardhje nga Azia Jugore ishte një nga të paktat jo të bardha në zonë. Pasi kaloi një pjesë të fëmijërisë së tij në Afrikën Lindore, ku babai shërbente si nëpunës civil, Amandipi dhe familja e tij i ndien shenjat e mikroagresionit racist që asokohe ishin të zakonshme në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo përvojë e hershme e paragjykimit ndikoi që të pësonte ndryshime të thellësishme vëllai i tij, Jagdip, i cili ishte pesë vjet e gjysmë më i madh se sa ai. Jagdipi vendosi se mënyra më e mirë për të mposhtur diskriminimin ishte që t’i bindte të gjithë se ishte më i mirë se bashkëmoshatarët e tjerë.
“Ai ishte djalë me gjithë të mirat dhe të gjithë e donin”, shprehet Amandipi.
Pasi e përfundoi shkollën e mesme me nota të larta, Jagdipi i vazhdoi studimet në kolegjin terciar, i cili në atë kohë ishte parakusht për pranimin në universitet. Vetëm për ta sprovuar veten, ai i bëri një kërkesë kolegjit që t'i lejohej të kalonte katër lëndë në vend të maksimumit që ishin tre. Kërkesa e tij u refuzua, por Jagdipi nuk u doorëzua. I bleu vetes një libër shkollor dhe e mësoi vetë fizikën.
Amandipi krahasohej vazhdimisht me vëllain ose me motrën e tij që kishin shumë të arrirë.
“Unë nuk jam i prirur nga ana akademike dhe babai im ndonjëherë nuk e kuptonte këtë”, thotë ai.
Jagdipi studio në shkollën e mjekësisë. Historiku i tij shkollor ishte i mbushur me çmime. Më pas e siguroi një vend pune në spitalin Ealing në Londrën Perëndimore. Amandipi kujton se si vëllai i tij bleu një palë këpucë të reja dhe, pak kohë pasi që e filloi punën, ia tregoi këmbët. I kishte të gjakosura.
Amandipi ishte i tronditur, por Jagdipi ishte i kënaqur. Ishte aq i zënë me punë në spital saqë ecte 16 kilometra në ditë.
“Ai e ndiente se ishte një simbol nderi fakti që këpucët i ishin shkërrmoqur, fakti që ai nuk kishte kohë për të ngrënë apo pirë e as për të shkuar në tualet”, shpjegon Amandipi. Këto ishin thuajse simbole të përkushtimit të nevojshëm për t'u konsideruar një mjek i mirë nga sistemet shëndetësore.
Për 25 vjet, Jagdipi punoi dhe e ndërtoi reputacionin e një mjeku të shkëlqyer. U bë drejtues i klinikës së kardiologjisë në një spital në Kent dhe u ngarkua me detyrën e udhëheqjes së disa projekteve të mëdha. “Edhe sot më ndodh që të ndeshem me njerëz që më thonë se ai ishte më i miri, se ai kurrë nuk e përshkroi një diagnozë të gabuar”, shton Amandipi.

Lamtumira e fundit
Ani se shumë kolegë të tjerë të Jagdipit vendosën të punonin në punë private, Jagdipi ishte i përkushtuar t'i shërbente shumicës së pacientëve të tij nën Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (NHS). E ndiente se kishte përgjegjësi ndaj atyre që kishin nevojë për kujdes urgjent shëndetësor, por nuk mund të paguanin për të. Listat e pacientëve të tij ishin shumë të gjata. Jagdipi mendonte se duhej ta trajtonte akëcilin prej tyre.
E kësisoj i nisën edhe problemet e para. Në mesnëntorin e 2018-s, Jagdipi i tha Amandipit se ishte i frikësuar prej asaj që po i ndodhte.
“Më tha se ishte duke e dëgjuar kolegun e tij tek fliste për një rast, por truri i tij nuk mund të funksiononte”, tregon Amandipi. Ai tha se të vëllait i dha këshilla për të cilat tani është penduar.
“I thashë se duhet të vizitojë shërbimin e shëndetit në punë, në spitalin ku punonte, gjë që ndoshta ishte gjëja e gabuar për ta bërë”, thotë ai. Duke e konsideruar Jagdipin të mbingarkuar, spitali i dha gjashtë muaj pushim. Për shkak të gjendjes së tij të rëndë, beson Amandipi, Jagdipi e perceptoi këtë si një masë ndëshkuese.
Të dielën pasi Jagdipi u sëmur, Amandipi shkoi për ta vizituar. Ai thotë se vëllai i tij ishte plotësisht i thyer. Ishte hera e dytë që po e shihte duke qarë. E para ishte në funeralin e babait të tyre.
“Ai nuk mund të më shikonte në sy. Ndjehej i turpëruar. Puna ishte e gjithë jeta e tij. Të largohej nga puna ishte si një dënim drakonian për të”, tregon Amandipi.
Të nesërmen, Amandipi i dërgoi Jagdipit një mesazh që të mësonte se si ishte. Jagdipi u përgjigj dhe i tha se po pushonte.
Të nesërmen, më 27 nëntor, rreth orës 14:30, Amandipit i mbërriti një email. Me perfeksionizmin që e kishte që nga fëmijëria, mesazhi i Jagdipit përbëhej nga një listë e gjatë udhëzimesh për Amandipin se çfarë të bënte me shtëpinë e tij dhe pjesën tjetër të pasurisë.
“Do të më gjeni në Beachy Head me makinë”, përfundonte teksti.
Beachy Head, shkëmbi më i lartë gëlqeror i detit në Mbretërinë e Bashkuar, ka qenë vend i njohur për vetëvrasjet që nga vitet 1600. Amandipi ndjeu një peshë të rëndë në stomak: vëllai i tij po i thoshte lamtumirë.
Amandipi u nis me makinë nga Londra ku jetonte për në Beachy Head. Zona tashmë ishte e mbushur me qenë kërkimi, helikopterë dhe oficerë të rojes bregdetare. Ai u ul duke pritur në heshtje derisa një polic i kumtoi se kishin gjetur trupin e Jagdipit.
Një mpirje e kapi gjatë udhëtimit për në shtëpi.
“Bëra dush, u shtriva në shtrat dhe mendova që ta përpunoja gjithë çfarë ka ndodhur më vonë”, thotë ai. Në orën 3 të mëngjesit, u zgjua dhe filloi të qante, ndërsa gruaja e tij e mbante. “Pikërisht atëherë e kuptova që vëllai im kishte vdekur”. Dr. Jagdip Sidhu ishte 47 vjeç.

Statistika alarmante
Në mbarë botën, mjekët kanë dy deri në pesë herë më shumë gjasa për vetëvrasje se sa popullata e përgjithshme.Të dhënat më të fundit nga Zyra e Statistikave Kombëtare tregojnë se vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, 72 profesionistë mjekësorë (përfshirë mjekë, infermierë, profesionistë mjekësorë, dentistë dhe mami) i kanë dhënë fund jetës në vitin 2020 – shifër kjo që është më shumë se një në javë. Vetëvrasja është e përhapur edhe tek infermierët: Më shumë se 360 tentuan të bënin vetëvrasje në vitin 2022.
Faktorët që kontribuojnë në shkallën e lartë të vetëvrasjeve brenda komunitetit mjekësor janë vërtetuar mirë. Midis tyre janë ngarkesat e mëdha të punës, presioni i lartë, ngacmimet dhe bullizimi brenda një kulture të ngurtë hierarkike të punës, privimi i gjumit dhe strukturat e dobëta mbështetëse.
Mjekët që kanë nevojë për kujdes
Menjëherë pas vdekjes së vëllait, Amandipi e themeloi “Doctors in Distress”, një organizatë kjo bamirëse që synon të mbrojë shëndetin mendor dhe të parandalojë vetëvrasjen.
Nëpërmjet “Doctors in Distress”, Amandipi dëshiron t'u ofrojë mjekëve të tjerë diçka që ai mendon se do ta kishte shpëtuar vëllain e tij: një hapësirë të sigurt, jogjykuese ku ata mund të flasin për ndikimin emocional të punës së tyre.
Gjatë pandemisë, organizata bamirëse organizoi disa seanca grupore për mjekët. Bashkimi i tyre u ndihmoi për të zbutur ndjenjën e vetmisë dhe për t'i bërë ata që të ndihen më mirë, thotë ai.
Krahas kësaj, bamirësia drejton një grup për mjekët me ngjyrë, ku ata mund të ndajnë përvojat e tyre të racizmit në punë. Infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë kanë kontaktuar gjithashtu me ta për të kërkuar ndihmë.
“Doctors in Distress” operon në mënyrë të pavarur nga NHS-ja, gjë kjo që Amandipi thotë se është thelbësore.
“Nëse shkaku i shqetësimit tuaj është punëdhënësi juaj, vendi i fundit ku dëshironi të shkoni për ta zgjidhur atë është me punëdhënësin tuaj”, shpjegon ai.
Amandipi shpreson se organizata e tij mund të ndihmojë në trajtimin e atyre që ai i konsideron problemet endemike në kulturën mjekësore.
“Profesioni mjekësor dhe sistemi i kujdesit shëndetësor i kushtojnë shumë vëmendje mjekëve që t'u japin kujdes të tjerëve”, thotë ai. “Por nuk ka sisteme që i lejojnë ata të kujdesen për veten ose për njëri-tjetrin. Ata janë vënë në një piedestal gjatë gjithë jetës së tyre dhe atyre u është rrënjosur kjo ndjenjë se nuk mund të dështojnë kurrë”.
Përktheu: Forca Jashari
