Një video është bërë publike të mërkurën ku duket të jetë themeluesi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, duke përshëndetur luftëtarët e tij në Bjellorusi. Kjo është hera e parë që ai shfaqet publikisht që nga rebelimi i armatosur në Rusi muajin e kaluar.
“Mirëserdhët djema! Jam i lumtur t’ju mirëpres. Mirëserdhët në tokën bjelloruse! Ne luftuam me dinjitet! Kemi bërë shumë për Rusinë”, ka thënë burri që duket të jetë Prigozhini, raportoi CNN.
Rebelimi i Prigozhinit paraqiti një prej sfidave më të mëdha për pushtetin e presidentit rus, Vladimir Putin. Ai luajti rol të rëndësishëm në pushtimin e Ukrainës dhe që nga kryengritja vendndodhja e tij mbeti e paqartë.
Ai vazhdon të sugjerojë se qëndrimi i tyre në Bjellorusi mund të jetë i përkohshëm dhe thërret luftëtarët e tij që të përgatiten për të luftuar tjetërkund.