Botë

Raporti i Senatit tregon se FBI-ja i shpërfill informacionet e inteligjencës për trazirat në Capitol

FBI-ja dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare i minimizuan apo i shpërfillën një sasi të madhe informacionesh të inteligjencës, para sulmit të 6 janarit të vitit 2021 në Capitol të SHBA-së, ka bërë të ditur kryetari i një paneli të Senatit, që të martën, nxori një raport të ri mbi dështimet e inteligjencës përpara kryengritjes.

Raporti shpalosi në hollësi se si këto agjenci nuk arritën të njohin dhe të paralajmërojnë për potencialin e dhunës që mbështetësit e presidentit të atëhershëm, Donald Trump, po e planifikonin haptas nëpër mesazhe dhe forume në internet.

Në mesin e informacioneve që u anashkaluan, sipas raportit, ishte edhe ai i dhjetorit të 2020-s, drejtuar FBI-së e në të cilin tregohej se anëtarët e grupit të ekstremit të djathtë, “Proud Boys”, po planifikonin që të ndodheshin në Uashington për certifikimin e fitores së Joe Bidenit. Raporti cek se plani i tyre ishte që të vrisnin njerëz.

Komiteti i Senatit për Sigurinë e Brendshme dhe për Çështje Qeveritare njoftoi se agjencitë ishin gjithashtu në dijeni për shumë postime nëpër rrjete sociale që parashikonin dhunë, duke u bërë thirrje mbështetësve të Trumpit që “të vijnë të armatosur” dhe ta sulmojnë Capitolin, e të vrasin ligjvënës apo “ta djegin vendin”.

Gary Peters, senator nga Michigani dhe kryetari demokrat i panelit të Homelandit, tha se raporti e shpërfaqi qartazi dështimin për të kuptuar se Capitoli mund të mbërthejë, në atë që i bën jehonë gjetjes nga Komisioni i 11 shtatorit për dështimet e inteligjencës përpara sulmeve terroriste të vitit 2001.

Teksa disa raporte të tjera i shqyrtuan dështimet e inteligjencës rreth 6 janarit, raporti i fundit është i pari i përpiluar nga Kongresi që fokusohet vetëm në veprimet e FBI-së, Zyrës së Inteligjencës dhe Analizës së Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Duke përdorur emailet dhe intervistat e mbledhura nga komiteti i Senatit si dhe nga paneli i Dhomës së Përfaqësuesve të 6 janarit, raporti thekson të mos ketë pasur dështim në pranimin e provave, por se agjencitë “dështuan të vlerësojnë plotësisht peshën e kërcënimit të identifikuar nga inteligjenca dhe të shpërndajnë zyrtarisht udhëzimet për partnerët e tyre të zbatimit të ligjit”.