Mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me Prigozhinin dhe forcat e tij nën marrëveshjen e arritur nga presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko. Ani pse kryengritja ishte e shkurtër, nuk pati të vrarë. Mediat ruse kanë raportuar se disa helikopterë ushtarakë janë rrëzuar nga forcat e “Wagnerit”, duke lënë të vrarë 15 ushtarë. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka komentuar. Prigozhini ka mohuar se ka pasur të vrarë
Ministri rus i Punëve të Brendshme, Sergei Shoigu, ka bërë paraqitjen e tij të parë publike që kur mercenarët me kryengritje kërkuan rrëzimin e tij. Ai është parë duke inspektuar forcat ruse në Ukrainë, në përpjekje për të treguar se ka kthyer rendin pas një prej krizave më serioze politike në Rusi.
Mirëpo ka vazhduar paqartësia për fatin e ministrit, udhëheqësit të kryengritjes, Yevgeny Prigozhin, ndikimin në luftën në Ukrainë, madje edhe për të ardhmen politike të vetë presidentit Vladimir Putin.
Përplasja mes liderit të mercenarëve “Wagner” dhe udhëheqësve të ushtrisë ruse e cila ka vazhduar gjatë tërë luftës në Ukrainë, të premten është shndërruar në kryengritje të mercenarëve, të cilët braktisën Ukrainën për të marrë kontrollin e bazave ushtarake në jug të Rusisë dhe marshuan drejt Moskës, para se të ndaleshin të shtunën.
Kremlini ka arritur marrëveshje me Prigozhinin i cili do të largohet në drejtim të Bjellorusisë dhe do të amnistohet së bashku me ushtarët e tij. Nuk ka informacione për vendndodhjen e tij, ani pse mediat ruse kanë raportuar se ai është në një hotel në Minsk të Bjellorusisë.
Hetimi penal ndaj Prigozhinit ka nisur në Rusi dhe disa deputetë rusë kanë kërkuar kokën e tij.
Videoja e ministrit të Mbrojtjes u publikua në ditën kur mediat ruse kanë spekuluar se ai dhe liderët e tjerë të ushtrisë kanë humbur besimin e Putinit dhe mund të zëvendësohen.
Shoigu është paraqitur në një helikopter dhe pastaj në takim me zyrtarët e ushtrisë ruse në Ukrainë. Mirëpo mbetet e paqartë se kur është realizuar kjo video.
Gjenerali Valery Gerasimov, gjithashtu cak i kritikave të Prigozhinut, nuk është paraqitur në publik.

Paqartësia me Prigozhinin
Mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me Prigozhinin dhe forcat e tij nën marrëveshjen e arritur nga presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko. Ani pse kryengritja ishte e shkurtër, nuk pati të vrarë. Mediat ruse kanë raportuar se disa helikopterë ushtarakë janë rrëzuar nga forcat e “Wagnerit”, duke lënë të vrarë 15 ushtarë. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka komentuar. Prigozhini ka mohuar se ka pasur të vrarë.
Inteligjenca amerikane kishte informacione si Prigozhin po tubonte forcat e tij afër kufirit me Rusinë, duke konfirmuar se revolta e tij ishte e planifikuar. Kjo është e kundërta e asaj që ka thënë Prigozhin se kryengritja ishte reagim ndaj një sulmi rus në kampin e mercenarëve në Ukrainë.
Televizioni shtetëror rus RIA Novosti ka thënë se kryeprokurori i shtetit ka hapur rast ndaj Prigozhinit dhe se nuk është mbyllur, ani pse Kremlini ka raportuar për të kundërtën.
Nëse vazhdon rasti i tij, prezenca e Prigozhinit në Bjellorusi – aleate e madhe e Kremlinit- do të ofronte pak mbrojte kundër arrestimit dhe ekstradimit të tij.
Ishte e paqartë se cilat burime duhet të përdorë Prigozhin dhe sa mund të ketë qasje në pasurinë e tij të konsiderueshme. Policia gjatë bastisjes së zyrës së tij në Shën Petersburg në ditën e rebelimit gjeti 4 miliardë rubla (48 milionë dollarë) në kamionë jashtë ndërtesës. Prigozhin ka thënë se parat ishin pagat për familjet e mercenarëve të tij.
Disa ligjvënës rusë kërkuan rregulla të rrepta të kompanive ushtarake private sipas një ligji të ri që do të miratohet – dhe disa argumentuan se Prigozhin duhet të ndëshkohet.
Andrei Gurulev, gjeneral në pension dhe ligjvënës aktual, i cili ka bashkëpunuar me liderin mercenar, ka thënë se Prigozhin dhe krahu i djathtë i tij, Dmitry Utkin, ish-oficer ushtarak që drejton “Wagnerin”, meritojnë “plumba në kokë”.
“Unë besoj fuqishëm se tradhtarët në kohë lufte duhet të ekzekutohen”, ka thënë ai.
Prigozhin u shfaq i paqëndrueshëm në disa nga videot e fundit të realizuara gjatë rebelimit. Ndërsa një kolonë që e mbante atë në një nga automjetet u largua nga qyteti jugor i Rostovit në Don pas pushtimit të tij të shkurtër të shtunën, ai u pyet se si e shikonte rezultatin e revoltës së tij, sipas pamjeve të postuara në mediat sociale ruse. “Është normale, ne i kemi gëzuar të gjithë”, ishte përgjigjur shefi i mercenarëve.
Përpara kryengritjes, Prigozhin i kishte sulmuar Shoigu dhe Gerasimov me fyerje për muaj të tërë, duke i fajësuar ata për dështimin për të siguruar armatim për mercenarët e tij në kohën kur po luftonin për qytetin ukrainas të Bakhmut, beteja më e gjatë dhe më e përgjakshme e luftës.
Përçarja e Prigozhinit me ushtrinë daton prej vitesh, me ndërhyrjen e Rusisë në Siri, ku forcat “Wagner” ishin gjithashtu aktive.
Distancimi i Putinit
Putini është distancuar nga grindjet dhe Shoigu e Gerasimov mbetën anash, ndoshta duke reflektuar pasigurinë për mbështetjen e presidentit. Vëzhguesit kanë thënë se duke dështuar për t'i dhënë fund grindjes, Putin e kishte inkurajuar Prigozhinin të shpeshtonte aksionet.
Disa analistë e panë revoltën e Prigozhinit si lëvizje të dëshpëruar për të shpëtuar “Wagnerin” nga shpërbërja pas urdhrit që të gjitha kompanitë private ushtarake të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes deri më 1 korrik.
Analistja politike ruse Tatiana Stanovaya ka shkruar në Twitter se rebelimi i Prigozhinit “nuk ishte përpjekje për pushtet apo përpjekje për të kapërcyer Kremlinin”, por lëvizje e dëshpëruar mes përçarjes së tij me udhëheqjen ushtarake të Rusisë. Ndërsa Prigozhin mund të dalë i gjallë nga kriza, ai nuk ka të ardhme politike në Rusi nën Putinin, ka shtuar Stanovaya.
Alex Younger, ish-kreu i agjencisë britanike të inteligjencës MI6, ka thënë se dukej se “asnjëra palë nuk ishte nën kontroll” gjatë rebelimit. Ai ka thënë se Prigozhin “nuk kishte plan, nuk kishte njerëz të mjaftueshëm” për të pasur sukses, ndërsa Putini dukej i pavendosur, duke u zotuar fillimisht se do të shtypte rebelët, më pas duke arritur marrëveshje. “Nga kjo të gjithë dalin më të dobët”, ka shtuar ai.
Mediat ruse dhe komentuesit spekuluan se Shoigu mund të zëvendësohet, por se Putini, i cili shmang marrjen e vendimeve nën presion, ka të ngjarë të presë përpara se të njoftojë për ndryshimet në udhëheqjen e ushtrisë.