Gjersa Prigozhini u bë më i hapur kundër mënyrës se si ushtria konvencionale ruse i zhvilloi luftimet në Ukrainë, ai vazhdoi të luante rol në dukje të domosdoshëm për ofensivën ruse dhe dukej se nuk vuante asnjë hakmarrje nga Putini për kritikat ndaj gjeneralëve të presidentit. Raportet e mediave herë pas here sugjeronin se ndikimi i Prigozhinit mbi Putinin po rritej dhe ai ishte pas një posti të spikatur politik. Por analistët paralajmëruan kundër mbivlerësimit të ndikimit të tij mbi Putinin
Shefi milioner i mercenarëve, i cili ka përfituar prej kohësh nga patronazhi i fuqishëm i presidentit Vladimir Putin, është vënë në qendër të vëmendjes globale pas rebelimit dramatik kundër ushtrisë ruse që sfidoi autoritetin e vetë Putinit.
Yevgeny Prigozhin është shefi 62-vjeçar i grupit “Wagner”, aleat të Kremlinit, një ushtri private me rekrutë të burgosur dhe mercenarë të tjerë që ka marrë pjesë në disa nga betejat më vdekjeprurëse në pushtimin rus të Ukrainës.
Të premten, Prigozhin përshkallëzoi papritur situatën pas disa muajsh kritikash të ashpra për strategjinë e luftës nga Rusia, duke bërë thirrje për një kryengritje të armatosur për të rrëzuar ministrin e Mbrojtjes dhe më pas duke u nisur drejt Moskës me ushtarët e tij.
Teksa qeveria e Putinit shpalli një alarm “kundërterrorizmi” dhe u përpoq të mbyllte Moskën me postblloqe, Prigozhini po aq befas u largua të nesërmen. Si pjesë e marrëveshjes për ta zbutur krizën, ai ra dakord të transferohej në Bjellorusi duke u tërhequr me forcat e tij nga Rostov-on-Don, qytet në Rusinë jugore, ku ato kishin marrë bazën ushtarake.
Ishte e paqartë se çfarë pritej për Prigozhinin, një ish i burgosur, shitës i hotdogëve dhe pronar restoranti që ka tërhequr vëmendjen botërore.
“Kuzhinieri i Putinit”
Prigozhin dhe Putin, janë që të dy të lindur në Leningrad, që sot quhet Shën Petersburg.
Gjatë viteve të fundit të Bashkimit Sovjetik, Prigozhin vuajti burgun - 10 vjet me pranimin e fajit - megjithëse nuk foli kurrë se për çfarë vepre përfundoi aty.
Më pas, ai zotëroi një stendë për hotdog dhe më pas restorante të bukura që tërhoqën interesin e Putinit. Në mandatin e tij të parë, udhëheqësi rus dërgoi presidentin e atëhershëm francez, Zhak Shirak për të ngrënë në njërin prej tyre.
“Vladimir Putin pa se si ndërtova një biznes nga një kioskë, ai pa që nuk e kam problem t’u shërbej mysafirëve të nderuar, sepse ata ishin mysafirët e mi”, ka kujtuar Prigozhin në një intervistë të botuar në vitin 2011.
Bizneset e tij u zgjeruan ndjeshëm në rrjet restorantesh dhe ofrimin e drekës në shkollë. Në vitin 2010, Putin ndihmoi në hapjen e fabrikës së Prigozhinit, e cila u ndërtua me kredi bujare nga një bankë shtetërore. Vetëm në Moskë, kompania e tij “Concord” fitoi miliona dollarë në kontrata për të ofruar ushqim në shkollat publike. Ai gjithashtu organizoi furnizime ushqimore për ngjarjet e Kremlinit për disa vjet - duke e fituar pseudonimin “kuzhinieri i Putinit” - dhe ka ofruar ushqim edhe për ushtrinë ruse.
Në vitin 2017, figura e opozitës dhe luftëtari i korrupsionit, Alexei Navalny akuzoi kompanitë e Prigozhinit për thyerjen e ligjeve antitrust duke ofertuar për rreth 387 milionë dollarë në kontratat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Lidhja ushtarake
Prigozhini zotëron gjithashtu grupin “Wagner”, forcë mercenare aleate e Kremlinit, e cila ka luajtur rol qendror në projektimin e Putinit për të shtrirë ndikimin rus në vendet problematike anembanë botës.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe të tjera thonë se forca mercenare është përfshirë në konflikte në vende të Afrikës në veçanti. Luftëtarët e “Wagnerit” supozohet se ofrojnë siguri për udhëheqësit kombëtarë ose komandantët e luftës në këmbim të pagesave fitimprurëse, shpesh duke përfshirë një pjesë ari ose burime të tjera natyrore. Zyrtarët amerikanë thonë se Rusia gjithashtu mund të përdorë punën e “Wagnerit” në Afrikë për ta mbështetur luftën e saj në Ukrainë.
Në Ukrainë, mercenarët e Prigozhinit janë bërë një forcë kryesore në luftë, duke luftuar përkrah ushtrisë ruse në betejat me forcat ukrainase.
Luftëtarët e “Wagnerit” arritën të pushtojnë gati tërësisht Bakhmutin, qyteti ku janë zhvilluar betejat më të përgjakshme dhe më të gjata. Deri në muajin e kaluar, grupi “Wagner” dhe forcat ruse dukej se kishin fituar në masë të madhe Bakhmutin, fitore me rëndësi të vogël strategjike për Rusinë, pavarësisht kostos me jetë njerëzish. Prigozhini ka thënë se 20 mijë nga njerëzit e tij vdiqën në Bakhmut, rreth gjysma e tyre të burgosur, por të rekrutuar nga burgjet e Rusisë.
Çfarë reputacioni ka grupi?
Vendet perëndimore dhe ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë akuzuar mercenarët e grupit “Wagner” për kryerjen e shkeljeve të shumta të të drejtave të njeriut në të gjithë Afrikën, duke përfshirë Republikën Qendrore të Afrikës, Libi dhe Mali.
Në dhjetor të vitit 2021, Bashkimi Evropian akuzoi grupin për “shkelje serioze të të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturën dhe ekzekutimet” dhe për kryerjen e “aktiviteteve destabilizuese” në Republikën e Afrikës Qendrore, Libi, Siri dhe Ukrainë.
Disa nga incidentet e raportuara u dalluan në brutalitetin e tyre të tmerrshëm.
Në nëntor të vitit 2022, një video u shfaq në internet që tregonte një ish-kontraktor të “Wagnerit” duke u rrahur për vdekje, pasi ai dyshohet se iku në anën ukrainase dhe u kap përsëri. Pavarësisht zemërimit publik dhe një rryme kërkesash për një hetim, Kremlini mbylli një sy ndaj këtij rasti.
Tërbimi ndaj gjeneralëve të Rusisë
Teksa forcat e tij luftuan dhe u vranë masivisht në Ukrainë, Prigozhin u tërbua kundër komandantëve ushtarakë të Rusisë. Në një video të publikuar nga ekipi i tij muajin e kaluar, Prigozhini qëndronte pranë trupave që ai tha se ishin të luftëtarëve të “Wagnerit”. Ai akuzoi ushtrinë e rregullt të Rusisë për paaftësi dhe se trupat e tij i kishin lënë me mungesë të armëve dhe municioneve që u duheshin për të luftuar.
“Këta janë baballarët e dikujt dhe djemtë e dikujt”, u shpreh Prigozhin. “Llumat që nuk na japin municion do t'i hanë zorrët e tyre në ferr”.
Kritikat ndaj komandantëve
Prigozhini i ka dënuar drejtuesit e lartë ushtarakë, duke i akuzuar oficerët e rangut të lartë për paaftësi. Vërejtjet e tij ishin të pashembullta për sistemin politik të kontrolluar fort, në të cilin vetëm Putini mund të japë kritika të tilla.
Në janar, Putini konfirmoi besimin e tij për shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ruse, gjeneral Valery Gerasimov, duke e vënë atë në krye të drejtpërdrejtë të forcave ruse në Ukrainë, lëvizje që disa vëzhgues e interpretuan gjithashtu si përpjekje për ta ulur Prigozhinin.
I pyetur së fundmi në lidhje me një krahasim mediatik të tij me Grigory Rasputin, një mistik që fitoi ndikim mbi carin e fundit të Rusisë duke pretenduar se kishte fuqinë për ta kuruar hemofilinë e djalit të tij, Prigozhini tha: “Unë nuk e ndal gjakun, por derdh gjakun e armiqve të atdheut tonë”.
“Aktor i keq” në SHBA
Prigozhini më parë ka fituar vëmendje më të kufizuar në SHBA, kur ai dhe dhjetëra shtetas të tjerë rusë, si dhe tri kompani ruse u akuzuan për operimin e një fushate të fshehtë të mediave sociale që synonte të nxiste mosmarrëveshje përpara fitores në zgjedhje të Donald Trumpit në vitin 2016.
Ata u paditën si pjesë e hetimit të prokurorit special, Robert Mueller, për ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka sanksionuar Prigozhinin dhe bashkëpunëtorët në mënyrë të përsëritur në lidhje me ndërhyrjen e tij në zgjedhje dhe udhëheqjen e tij të grupit “Wagner”.
Pas aktakuzës së vitit 2018, agjencia e lajmeve RIA Novosti citoi Prigozhinin të thoshte, në një vërejtje qartësisht sarkastike: “Amerikanët janë njerëz shumë mbresëlënës; ata shohin atë që duan të shohin. Unë i trajtoj me shumë respekt. Nuk jam aspak i mërzitur që jam në këtë listë. Nëse duan ta shohin djallin, le ta shohin atë”.
Shtëpia e Bardhë e quajti atë “aktor i njohur, por i keq” dhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, ka thënë se “rrëfimi i guximshëm i Prigozhinit, nëse ka ndonjë gjë, duket të jetë thjesht një manifestim i mosndëshkimit që hajdutët dhe miqtë gëzojnë nën pushtetin e presidentit Putin dhe Kremlinit”.
Pjesë e stafit, por jo e familjes
Gjersa Prigozhin u bë më i hapur kundër mënyrës se si ushtria konvencionale ruse i zhvilloi luftimet në Ukrainë, ai vazhdoi të luante rol në dukje të domosdoshëm për ofensivën ruse dhe dukej se nuk vuante asnjë hakmarrje nga Putini për kritikat e tij ndaj gjeneralëve të presidentit.
Raportet e mediave herë pas here sugjeronin se ndikimi i Prigozhinit mbi Putinin po rritej dhe ai ishte pas një posti të spikatur politik. Por analistët paralajmëruan kundër mbivlerësimit të ndikimit të tij me Putinin.
“Ai nuk është një nga figurat e afërta të Putinit apo një njeri i besuar”, ka treguar Mark Galeotti nga University College në Londër, i specializuar në çështjet e sigurisë ruse, duke folur në podkastin e tij “In Moskova's Shadows”.
“Prigozhini bën atë që dëshiron Kremlini dhe bën shumë mirë për veten e tij në këtë proces. Por kjo është çështja – ai është pjesë e stafit dhe jo pjesë e familjes”, ka thënë Galeotti.
Përktheu: Blerta Haxhiu