Botë

Putini sfidohet nga mercenarët e tij

Rusia ka nisur të thyhet edhe nga brenda kur mercenarët e prirë nga dikur miku më i madh i Vladimir Putinit, Yevgeny Prigozhin, morën kontrollin e qytetit rus të Rostovit në kufi me Ukrainën. Putini e ka cilësuar tradhti dhe thikë pas shpine, teksa Prigozhin ka insistuar se nuk bëhet fjalë për grusht shtet, por marsh për drejtësi. Lideri i mercenarëve direkt nuk ka kritikuar Putinin, por shpesh ka përdorur termin “gjyshi i lumtur” kur ka folur për udhëheqësin e shtetit rus.

Përplasja mes grupit të mercenarëve rus “Wagner” me shtetin e Rusisë është moment vendimtar në luftën në Ukrainë dhe një prej sfidave ndaj pushtetit të Vladimir Putinit. Lideri rus ka akuzuar shefin e mercenarëve, Yevgeny Prigozhin për tradhti, pasi ka nxitur rebelimin e armatosur dhe ka therur pas shpine shtetin e tij.

“Do të mbrojmë popullin tonë dhe shtetësinë tonë nga çdo kërcënim, përfshirë edhe tradhtinë e brendshme. Dhe ajo me të cilën po përballemi është tradhtia. Ambiciet e tepruara dhe interesat personale çuan në tradhti. Për tradhti ndaj vendit tonë, popullit tonë dhe detyrës, për të cilën, krah për krah me njësitë dhe nën-njësitë tona të tjera, luftuan dhe vdiqën luftëtarët dhe komandantët e grupit Wagner, heronjtë që çliruan qytetet dhe qytezat e Donbasit, luftuan dhe dhanë jetën për unitetin e botës ruse. Emri dhe lavdia e tyre u tradhtuan edhe nga ata që përpiqen të organizojnë një rebelim, duke e shtyrë vendin drejt anarkisë dhe vëllavrasjes”, ka thënë Putini në fjalimin e tij para kombit.

Kontrolli i Roston në Don

Një prej figurave kryesore të Rusisë, Prigozhin, ka thënë se qëllimi i tij nuk është grusht-shteti ushtarak por marshi për drejtësi.

Mercenarët e “Wagnerit” kanë braktisur pozicionet e tyre në Ukrainë dhe kanë sulmuar qytetin rus Rostov në Don.

“Kur erdhëm këtu, mësuam shumë gjëra të reja. Kemi humbur shumë territor në Ukrainë. Janë tre apo katër herë më shumë ushtarë të vrarë sesa raportohet në komandë dhe ajo që raportohet është dhjetë herë më pak sesa thuhet në TV. Humbjet janë 1 mijë njerëz në ditë, jo pse refuzojnë të luftojnë, por nuk kanë zgjidhje sepse nuk kanë municion dhe komandantë”, ka thënë lideri i mercenarëve, Prigozhin.

Për muaj të tërë Prigozhin ka luajtur rol vendimtar në fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke rekrutuar mijëra ushtarë nga burgjet e Rusisë.

Ndërkaq, përplasja e hapur me gjeneralët e ushtrisë që po i prijnë luftës në Ukrainë, tani është kthyer në revoltë.

Mercenarët kanë marrë kontrollin e qytetit Rostov në Don dhe të gjithë bazat ushtarake në qytetin rus.

Përplasja ka nisur për shkak të dështimit të ushtrisë ruse që të ofrojë armatim për mercenarët. Tani Prigozhini ka sfiduar direkt dy udhëheqësit e luftës – ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe shefin e forcave të armatosura, Valery Gerasimov.

Sipas mediave ndërkombëtare, Prigozhin dëshiron të rrëzojë udhëheqësit e ushtrisë ruse dhe pastaj të sfidojë edhe autoritetin e presidentit Putin.

Krejt rajoni i Moskës është vendosur në gjendje gatishmërie dhe janë anuluar të gjitha ceremonitë.

Prigozhin pakënaqësinë e tij nuk e ka shprehur direkt ndaj Putinit, por referencat sarkastike për “gjyshin e lumtur” janë parë si kritika indirekte ndaj presidentit rus.

Muajin e kaluar Prigozhin ka thënë se Rusia nuk mund të fitojë me “gjyshin që është krejtësisht i marrë”

Reagimi i Ukrainës

Ndërkaq, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se rebelimi i mercenarëve tregon se “të gjithë ata që zgjedhin shtegun e së keqes shkatërrojnë veten”.

“Për një kohë të gjatë, Rusia përdori propagandën për të fshehur dobësitë e veta dhe budallallëqet e qeverisë së saj. Dhe tani është kaos që askush nuk mund ta fshehë”, ka thënë Zelenskyy në një postim në rrjetin “Telegram”.

Qytetarët e Kievit kanë shprehur mendimet e tyre rreth zhvillimeve në Rusi dhe si do të mund të ndikojnë ato në Ukrainë. Të shtunën kur po ndodhte përplasja mes mercenarëve rusë të “Wagnerit” dhe shtetit të Rusisë, shumë ukrainas po shikonin ekspozitën e automjeteve të dëmtuara të forcave ruse.

Rebelimi i armatosur është shpallur nga shefi i mercenarëve, Yevgeny Prigozhin.

Ushtria private, e prirë nga ai, ka marrë kontrollin e bazave ushtarake në qytetin Rostov në Don, 1 mijë kilometra larg Moskës. Nga kjo bazë janë organizuar të gjitha operacionet ruse në Ukrainë.

“Nëse ajo që po ndodh tani në Rusi është e vërtetë – do të përfitojmë vetëm ne. Sa më herët që përfundon lufta me fitoren tonë aq më mirë. Të gjithë janë të lumtur me lajmet. Një shok më thirri sot dhe më tha: ‘Andrii kurrë nuk kam pirë më shumë se sot, por sot kam një arsye të mirë për të pirë”, ka thënë ushtari Andrii Kvasnytsia në Kiev.

Mirëpo ai është shprehur i bindur se Prigozhin nuk do të mund ta marrë pushtetin në Rusi.

“Duke parë qëllimet e tij, mund të jetë edhe më i keq se Putini. Mirëpo nuk mendoj se do ta marrë pushtetin dhe të kthehet kundër Ukrainës me shpejtësi, sepse ky rebelim do të zgjasë. Do të përfitojmë ne, por dyshojmë se Prigozhini do të rrokë pushtetin me lehtësi. Ka forca të tjera që po luftojnë për pushtet”, ka thënë ushtari Kvasnytsia.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka premtuar të shtunën se do ta mbrojë Rusinë nga rebelimi, të cilin ai e ka quajtur “thikë pas shpine”.

“Qeveria e Rusisë duhet të zëvendësohet krejt. Nuk duhet të ketë udhëheqës rus. Duhet të jetë njeri normal dhe i aftë për ndërtimin e shtetit. Rusëve u duhet dikush i ri, as Wagneri ose Putini, dikush krejt i ri”, ka thënë qytetarja e Kievit, Yevheniia Helena.

Teksa rusët ishin në panik nga gjendja alarmante, ukrainasit në kryeqytet po përkujtonin pjesëtarin 36-vjeçar të forcave speciale që u vra në betejën për qytetin e Bakhmutit.

Veprimet e Prigozhinit do të kenë implikime të rënda për luftën në Ukrainë. Orysia Lutsevych nga Forumi i Ukrainës me bazë në Londër, ka thënë se përplasja mes rusëve do të krijojë konfuzion dhe ndasi te forcat ruse.

“Ushtria ruse në Ukrainë tani mund të operojë në vakum, pa urdhra të qartë ushtarakë dhe dyshime se kujt duhet t’i bindet”, ka thënë Lutsevych.

Shtetet perëndimore kanë monitoruar nga afër zhvillimet në Rusi. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka folur me liderët e G-7-s dhe përfaqësuesit e Punëve të Jashtme të BE-së. Ai ka thënë se SHBA-ja nuk do të ndryshojë përkrahjen për Ukrainën.

Letonia dhe Estonia, dy shtete anëtare të NATO-s në kufi me Rusinë, kanë thënë se kanë ngritur sigurinë në kufijtë e tyre.

Kremlini ka deklaruar se Putini ka folur me liderët e Turqisë, Bjellorusisë, Kazakistanit dhe Uzbekistanit. Të shtunën pati spekulime se Putini është larguar nga Moska, por këto i ka mohuar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Përktheu: Gent Mehmeti