Botë

“E bëra veten me gjak të shokëve për t’i shpëtuar vdekjes”

“U shtriva pranë trupave të gjakosur të shokëve të mi dhe mendova shumë shpejt. Më pas e bëra veten me gjakun e tyre, në vesh, gojë dhe në kokë dhe kur erdhën militantët, ma kontrolluan dorën për puls dhe u larguan”, ka theksuar Julius, studenti që i mbijetoi sulmit terrorist në konviktet e Ugandës

Nxënësi Julius Isingoma ka rrëfyer se si i ka mbijetuar mrekullisht një sulmi gjatë natës nga rebelët e dyshuar islamikë në konviktin e shkollës në Ugandën perëndimore.

“Jam spërkatur në gojë, veshë e kokë me gjakun e shokëve të mi të vdekur, në mënyrë që sulmuesit të mendonin se jam i vdekur”, ka treguar ai për BBC-në nga Spitali i Përgjithshëm Bwera në rajonin Kasese.

Më shumë se 40 persona, shumica prej tyre nxënës – vdiqën në sulmin e shkollës së mesme në qytezën Mpondwe të premten e javës së shkuar gjatë natës.

Presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, i ka fajësuar për sulmin Forcat Demokratike Aleate (ADF), duke shtuar se “me gjasë po punonin me kriminelë të tjerë”. Ai nuk ka dhënë detaje, mirëpo është zotuar se do t’i luftojë militantët në strehët e tyre, përtej kufirit në Republikën Demokratike të Kongos.

ADF-ja nuk ka komentuar ende. Ajo u formua në vitet ‘90 dhe mori armët kundër Musevenit, duke pretenduar për persekutim të popullsisë pakicë myslimane. Udhëheqësi i saj thuhet se u zotua për besnikëri ndaj grupit të Shtetit Islamik (IS) në vitin 2016. Por vetëm në prill të vitit 2019, IS-i e ka pranuar për herë të parë aktivitetin e tij në zonë, kur mori përgjegjësinë për sulm ndaj pozicioneve të ushtrisë pranë kufirit me Ugandën. Kjo deklaratë shënoi shpalljen e “Provincës së Afrikës Qendrore” (Iscap) të IS-it.

Gjashtë nxënës besohet se janë rrëmbyer teksa militantët u tërhoqën në Kongo. Julius ishte në mesin e gjashtë personave që arritën t’i mbijetonin sulmit që zgjati për disa orë. Ai nuk i ka identifikuar sulmuesit, por ka thënë se ishin njerëz me armë që filluan sulmin rreth orës 22:00 me kohën lokale. Sulmuesit erdhën në konviktin e djemve, por nxënësit e kishin mbyllur pasi kishin kuptuar rrezikun.

“Kur nuk mundën ta hapnin derën, hodhën një bombë brenda konviktit dhe më pas përdorën çekiçë dhe sëpata për të thyer derën”, ka treguar ai.

Julius qëndronte pas shumë studentëve që kishin formuar një mburojë pranë derës dhe u qëlluan për vdekje kur militantët hynë në konvikt. Kishte të qara gjersa studentët qëlloheshin me armë zjarri.

Ai u ngjit shpejt në majë të një shtrati, hoqi disa nga dërrasat prej druri të tavanit dhe u ngjit e hyri brenda për t’u fshehur. Prej aty, i pafuqishëm i shikonte kolegët e tij duke u vrarë brutalisht nga sulmuesit, të cilët më pas u vunë flakën dyshekëve dhe u larguan.

“Më pushtoi tymi dhe rashë përsëri në konvikt me zhurmë”, ka treguar ai.

Militantët e dëgjuan zhurmën dhe u kthyen. Pikërisht në atë moment Julius e dinte se duhej të gjente shpëtim.

“U shtriva pranë trupave të gjakosur të miqve të mi dhe mendova shumë shpejt. Më pas jam lyer me shumë gjak në vesh, gojë dhe në kokë dhe kur erdhën militantët, ma kontrolluan dorën për puls dhe u larguan”, ka theksuar Julius.

Një tjetër i mbijetuar, Godwin Mumbere, ishte në të njëjtin konvikt me Juliusin. 18-vjeçari ka kujtuar se sulmuesit kishin shkuar në konviktin e vajzave, duke i tërhequr zvarrë dhe duke i vrarë me hanxhar.

Më pas kanë ardhur në konviktin e djemve, kanë thyer derën dhe kanë nisur t’i sulmojnë studentët. Shtrati nën të cilin ishte fshehur Godwin u përmbys dhe shokët që ishin sipër ranë përtokë dhe u vranë.

“Sulmuesit më panë, menduan se kisha vdekur”, ka thënë ai. Por ata dolën dhe u kthyen në konvikt për t’u siguruar që të gjithë kishin vdekur.

“Pikërisht në këtë moment më qëlluan në dorë dhe i vunë flakën konviktit”, ka treguar studenti.

Godwin u rikthye në realitet nga britmat e një studenti tjetër që ka thënë se po vdisnin. Doli me vrap nga konvikti, kapërceu portën e shkollës dhe vrapoi në një dyqan harduerësh aty pranë nëpërmjet një plantacioni kakaoje. Ai arriti në një shtëpizë dhe u fsheh poshtë një automjeti derisa u shpëtua.

Clarice Bwambare, administrator i lartë në Spitalin e Përgjithshëm në Bwera, ka thënë se filluan t’i marrin trupat e nxënësve dhe banorëve rreth orës 01:00 - rreth tre orë pasi sulmi filloi. Ai theksoi se nga 20 kufomat që kanë marrë, 18 ishin të nxënësve.

Pesë të mbijetuar aktualisht po trajtohen në spital. Njëra prej tyre është një vajzë e cila ndodhet në gjendje kritike në reanimacion. Një kirurg këshilloi se ajo nuk mund të lëvizej për shkak të një dëmtimi të rëndë në kokë nga goditja me çekiç nga rebelët.

Bwambare ka bërë të ditur se vetëm një trup nuk ishte marrë nga mordi.

Familjet, të kapluara nga pikëllimi, varrosën 21 nga studentët, sipas gazetës “New Vision”.

I shtrirë në shtratin e tij të spitalit, Julius ka shprehur keqardhjen që nuk mund të merrte pjesë në funeralet e tyre. Ai ka thënë se do të dëshironte të ishte një ushtar që mund të luftonte dhe të shpëtonte jetën e miqve dhe kolegëve të tij.

Përktheu: Blerta Haxhiu