Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, qëllimisht ka mashtruar Parlamentin në lidhje me ahengjet e organizuara në kohën e pandemisë, ka njoftuar të enjten komiteti i deputetëve pas një viti hetimesh.
Raporti i këtij komiteti ka gjetur se veprimet e Johnsonit ishin në kundërshtim me rregullat dhe për këtë kërkohej suspendimi prej 90 ditësh nga Parlamenti.
Ky dënim është simbolik për shkak se Johnsoni ka dhënë dorëheqje të premten pasi komiteti e informoi për vendimin.
Johnsoni në letrën e dorëheqjes komitetin e ka cilësuar si “gjykatë kangurësh” që organizoi “gjuetinë e shtrigave” ndaj tij, me qëllim që të largohej nga Parlamenti.
Shumica e panelit prej shtatë anëtarëve të komitetit ishin anëtarë të Partisë Konservatore, të cilët i takon Johnsoni.
Raporti është pjesë e serisë së skandalit me organizimin e ahengjeve në kohën kur Britania ishte në izolim të plotë për mbrojtje nga koronavirusi.
Kjo seri e ahengjeve dyshohet se ka ndodhur në vitet 2020-2021.