I burgosuri i dobësuar me pantallona të shkurtra të zeza ishte shtrirë në një dyshek të hollë në burgun më famëkeq të Haitit, i izoluar nga të burgosurit e tjerë në Burgun Kombëtar të Port-au-Prince për shkak të tuberkulozit rezistent ndaj ilaçeve.
Ai u ul ngadalë për të folur me një gazetar vizitor dhe më shumë se 70 kolegë të sëmurë me tuberkuloz u mblodhën në derën e qelisë fqinje për t'u ankuar për vuajtjet e tyre gjatë kohës së paraburgimit, shumica prej tyre të burgosur nën akuzat për vjedhje të vogla.
“Nuk kemi ujë”, njëri qau, ndërsa shokët e tij të burgosur thanë se ushqimi u erdhi vonë ose asnjëherë.
Të burgosurit në Haiti janë të etur, të uritur dhe po flenë në këmbë sepse nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për t'u shtrirë. Kombet e Bashkuara thonë se 185 të burgosur vdiqën në Haiti vitin e kaluar – shumë prej sëmundjeve të lidhura me kequshqyerjen. Këtë vit, më shumë se 20 kanë vdekur deri më tani. Ekspertët dhe avokatët e të drejtave të njeriut presin që numri të rritet sepse dhuna e bandave ka çuar në mungesa të rënda të karburantit dhe ushqimit.
"Kam frikë se një katastrofë humanitare po vjen", tha avokati Arnel Rémy, koordinator për Shoqatën e Avokatëve të Haitit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Më shumë se 80% e 11 mijë e 400 të burgosurve të Haitit mbahen në paraburgim. Sipas ekspertëve të të drejtave të njeriut, mund të kalojnë vite përpara se ata të dalin para drejtësisë, mbase edhe kurrë. Ligji haitian lejon që njerëzit të mbahen ligjërisht në paraburgim për 48 orë kur nuk kanë akuza, por në Haiti, ligji shpesh nuk respektohet.
Vitin e kaluar, Qeveria e Haitit liroi më shumë se 70 të burgosur të dënuar për vepra të vogla, pasi disa video të postuara në mediat sociale tregonin të burgosur të dobësuar. Por lëvizje të tilla janë të rralla dhe ndërkohë, shëndeti i të burgosurve përkeqësohet, ku disa vdesin para se të shkojnë në gjykatë.
“Askush nuk më sjell ushqim”
Në dhjetor, Universiteti i Floridës publikoi një studim që zbuloi se burrat në burgjet e Haitit ishin të kequshqyer, duke konsumuar më pak se 500 kalori në ditë. Studiuesit studiuan më shumë se 1 mijë të burgosur në dy burgje në Haiti, duke përfshirë edhe Burgun Kombëtar. Ata zbuluan gjithashtu se më shumë se 75% ishin të rrezikuar nga skorbuti dhe beriberi - mungesa e vitaminës B1 - dhe vunë në dukje se të burgosurit nuk ushqehen gjatë izolimit.
Disa të burgosur kanë miq ose familje që u sjellin ushqim dhe pije çdo ditë, por kjo praktikë e kahershme është pakësuar mes një rritjeje të dhunës së bandave që ka mbyllur rrugët kryesore dhe ka çuar në një mungesë të transportit publik në disa komunitete.
"Askush nuk më sjell ushqim", tha François Gausly, 50 vjeç, duke shtuar se ai është në burg qe katër vjet, pasi u akuzua për vjedhjen e një motoçiklete, por ende nuk është parë me një gjykatës. “Unë ha vetëm një herë në ditë. Ndonjëherë është oriz. Ndonjëherë është kaçamak”.
Një raport i Departamentit të Shtetit të SHBA-së vuri në dukje se arrestimet arbitrare janë të zakonshme në Haiti dhe se autoritetet shpesh ndalojnë njerëz me akuza të paspecifikuara.
Zona përreth Burgut Kombëtar të Haitit - më i madhi në vend me afro 4 mijë të burgosur, edhe pse është ndërtuar për 800 - është bërë më i rrezikshëm: të shtënat me armë nga bandat ndërluftuese dëgjohen pothuajse çdo ditë dhe një oficer korrektues u qëllua në fund të majit ndërsa largohej nga burgu.
Të flesh në këmbë
Pavarësisht rrezikut, dhjetëra gra qëndruan jashtë burgut javën e fundit duke mbajtur qese plastike me ushqime të skalitura me emrat e të dashurve të tyre dhe numrin e qelisë së tyre të burgut.
Një grua që solli oriz e mori me dorën e saj dhe e hëngri, ndërsa një oficer korrigjimi theksoi më parë se: Kushdo që sjell ushqim ose pije detyrohet ta shijojë atë për të shmangur përpjekjet për të helmuar dikë brenda.
Në mesin e atyre që prisnin t'i dorëzonin ushqimin një të burgosuri ishte 52-vjeçari Fenise Jean-Pierre, djali i së cilës ndodhet në burg për tetë muaj. Ai ende nuk ka parë një gjykatës pasi dikush e akuzoi atë për vrasjen e një oficeri policie. Ai u arrestua dy vjet pas vrasjes dhe vazhdon të jetë i pafajshëm.
Jean-Pierre tha se djali i saj, 33 vjeç, ka humbur shumë peshë.
"Ai duhet të flejë në këmbë sepse nuk ka vend aty ku është", tha ajo.
Atë ditë, ajo i solli atij vetëm një vakt, sepse ishte gjithçka që mund të përballonte dhe shqetësohet se nuk mund ta ndihmojë fare.
"Sa më i paqëndrueshëm të bëhet ky vend, aq më pak qasje kam për ta parë atë", tha Jean-Pierre.
Nevoja për ndihmë
Brenda, një grup të burgosurish përgjegjës për shpërndarjen e ushqimit të sjellë nga miqtë dhe familja i shpërndanë artikujt derisa një këngë nga grupi popullor "Racine Mapou de Azor" dëgjohej në sfond.
“Ne kemi qenë këtu për një kohë të gjatë pa parë një gjyqtar. Duam të dënohemi ose të lirohemi!”, bërtiti një i burgosur që mbante syze dielli.
Health through Walls, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Florida që ofron kujdes mjekësor për të burgosurit në IEVP dhe burgje të tjera në mbarë botën, u jep të burgosurve në Haiti suplemente dhe ndonjëherë lëngje proteinash për ta shmangur kequshqyerjen.
"Ne e dimë se ushqimi është i keq", tha dr. Edwin Prophète i grupit.
Health through Walls ka trajnuar gati 70 të burgosur për të identifikuar njerëzit e sëmurë brenda qelive të burgut, sepse stafi mjekësor tani është i ndaluar të bëjë kontrolle të përditshme shëndetësore, duke pasur parasysh pasigurinë në rritje.
Wilfred Mexuy, kryekuzhinieri në Burgun Kombëtar të Haitit, i cili po vuan një dënim 15-vjeçar për vrasje, i tha AP-së se ai përgatit një ose dy vakte në ditë për të burgosurit, por se puna e tij varet nga gjërat që ai nuk mund t'i kontrollojë.
"Ndonjëherë kemi ushqim, por nuk kemi energji", tha ai, duke shtuar se burgu ishte një herë tre muaj pa energji elektrike dhe se gjeneratori u prish.
Sulm ndaj dinjitetit njerëzor
Prokurori Arnel Rémy tha se një grup avokatësh kanë filluar të grumbullojnë para për të blerë ushqime për të burgosurit. “Ajo që na shqetëson është mungesa e Qeverisë dhe refuzimi i saj për të vepruar shpejt”, tha ai.
Ministria e Drejtësisë e Haitit, e cila mbikëqyr burgjet e vendit, nuk ktheu përgjigje kur iu kërkua koment.
Ndër të burgosurit më të rinj në IEVP të Haitit është avokati i njohur, Robinson Pierre-Louis, i cili ishte sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Avokatëve të Haitit dhe u arrestua vitin e kaluar pasi u akuzua për përpjekje për të liruar dy burra të implikuar në një çështje të madhe të trafikut të armëve.
Pierre-Louis, i cili i tha AP-së se ishte i pafajshëm, i përshkroi kushtet e burgut si "mizore" dhe "skandaloze". “Është një sulm ndaj dinjitetit njerëzor”, tha ai. "Disa po ia dalin, por të tjerët nuk mund të mbijetojnë".
Përktheu: Forca Jashari
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.