Shkatërrimi i digës së madhe në Ukrainë do të ketë pasoja “të rënda për mijëra qytetarë”, është paralajmëruar nga Kombet e Bashkuara, raporton “BBC”.
Shefi për ndihmë i OKB-së, Martin Griffiths, ka thënë se përmasa e katastrofës në digën e Kakhovkas në jug të Ukrainës, do të bëhet e qartë në ditët në vijim.
Mijëra persona janë larguar nga shtëpitë e tyre në këto zona, që janë të prekura rëndë nga lufta.
Ka frikë se nivelet e ujërave mund të rriten edhe mëtutje.
Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkatërrimin e digës të martën.
Duke iu adresuar Këshillit të Sigurisë së OKB-së, Griffiths, ka paralajmëruar se mijëra persona në jug të Ukrainës po përballen me “humbje të shtëpive, ushqimit, ujit të pijshëm”.
Ndërsa vazhdon evakuimi masiv të mërkurën në mëngjes në rajonin Kherson në Ukrainë, imazhet satelitore tregojnë shkallën e shkatërrimit.
Të mërkurën në mëngjes, 23 lokalitete kanë mbetur të vërshuara. Në total mbi 40 mijë persona është dashur të evakuohen.