Botë

Amësia e largët

OJQ-ja “Save the Children Romania” sapo ka publikuar një studim kombëtar të kryer në vitin 2022. Studimi zbuloi se 536 mijë fëmijë, rreth 13.8 për qind e fëmijëve rumunë, kishin të paktën një prind që punonte jashtë vendit vitin e kaluar. Rreth 155 mijë fëmijë kanë vetëm nënat e tyre që punojnë jashtë vendit dhe 77 mijë fëmijë i kanë të dy prindërit larg

Më shumë se gjysmë milioni fëmijë vetëm në Rumani kishin të paktën një prind që punonte jashtë vendit vitin e kaluar, tregon një studim i vitit 2022.

Petra la pas familjen e saj tre vjet më parë në Zmeu, Rumani. Edhe pse koha ka kaluar, zëri i saj ende dridhet.

“Djali im kishte probleme shëndeti dhe unë huazova 600 euro për kirurgji, ilaçe dhe transport për në spital”, tha ajo për Al-Jazeeran.

Për të shlyer borxhet e saj, Petra u largua nga Zmeu, ku kishte jetuar me nëntë fëmijët e saj.

“Alina, fëmija im më i vogël, ishte vetëm gjashtëmuajshe kur e lashë me vëllezërit e motrat e saj më të mëdhenj. Një teze që jeton aty pranë i kontrollonte herë pas here”.

Petra pushon së foluri, rrudh sytë dhe fillon të qajë.

Në Rumani, në moshën 47-vjeçare, ajo ishte një muratore, që fitonte 40 euro për çdo dhomë që ndërtonte, e secila dhomë ia merrte një javë për ta përfunduar.

“Shkova me burrin tim në Itali, ku mblidhja fruta dhe perime për 10 orë në ditë, e merrja një pagesë prej gjashtë eurosh në orë, kur duhej të kisha fituar nëntë euro në orë”, tha ajo.

Paga bazë e një punonjësi bujqësor është vendosur në nëntë euro bruto në orë sipas kontratës italiane. Mesatarisht, ajo vlen për të gjithë Italinë. Megjithatë, ekziston një praktikë e përhapur ku punëtorët paguhen më pak, kryesisht emigrantët, por edhe vendasit.

Sipas Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, rreth 500 mijë emigrantë punojnë në sektorin bujqësor të Italisë dhe vlerësohet se 40 për qind e tyre janë punëtorë të parregullt.

Shumica e tyre gjejnë punë sezonale përmes “caporalatos”, një formë e përhapur e ndërmjetësimit të paligjshëm midis fermerëve dhe punëtorëve.

Sistemi mbështetet në shfrytëzimin e cenueshmërisë së punëtorëve, duke çuar në kushte ndonjëherë çnjerëzore të punësimit dhe jetesës.

Sipas sociologut italian Marco Omizzolo, ka punëtorë të detyruar të punojnë në fusha shtatë ditë në javë, madje edhe për 10 orë në ditë.

Puna sezonale në fermë

Iurciuc Ilie, drejtori i kompleksit shkollor Zmeu me 430 nxënës nga mosha tri deri në 14 vjeç, tha se mungesa e vendeve të punës dhe pagat e ulëta kanë detyruar nënat e një të tretës së nxënësve të shkollës së tij të zhvendosen jashtë vendit për punë.

Si rezultat i remitencave nga emigrantët, fshati i vogël ka ndryshuar me kalimin e kohës: shtëpi të reja sipas standardeve perëndimore janë ndërtuar dhe të tjera janë rinovuar.

“Megjithatë, shkëputja e zgjatur ndikon negativisht në performancën e nxënësve në shkollë. Mesatarisht, nxënësit që u janë besuar gjysheve rezultojnë më keq në shkollë dhe rrezikohen ta braktisin. Ata janë më rebelë, priren të shpërfillin rregullat dhe trishtohen para nënave të studentëve të tjerë”, tha ai.

Sipas Coldiretti të Italisë, në pranverën e vitit 2020, 15 mijë rumunë pritej të udhëtonin në rajonin e Venetos, ku COVID-19 goditi së pari në Evropë.

Sipas OJQ-ve bullgare dhe rumune, është e vështirë të gjesh statistika më të fundit.

Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania ishin destinacionet kryesore. Shumica e punëtorëve evropianë vijnë nga Rumania, Polonia dhe Bullgaria.

OJQ-ja “Save the Children Romania” sapo ka publikuar një studim kombëtar të kryer në vitin 2022. Studimi zbuloi se 536 mijë fëmijë, rreth 13.8 për qind e fëmijëve rumunë, kishin të paktën një prind që punonte jashtë vendit vitin e kaluar.

Rreth 155 mijë fëmijë kanë vetëm nënat e tyre që punojnë jashtë vendit dhe 77 mijë fëmijë i kanë të dy prindërit larg.

Për muaj të tëra nënat ndahen nga djemtë dhe vajzat e tyre, të cilët më pas qëndrojnë me të afërmit e tjerë.

Punonjëset femra të fermave mund të përjetojnë të ashtuquajturën “sindroma e Italisë”, një term jozyrtar në Rumani që u referohet çështjeve të shëndetit mendor dhe fizik të zhvilluara gjatë punës jashtë vendit – duke përfshirë depresionin, ankthin, pagjumësinë e aparinë. Teorizohet se shkaktohet nga një sërë stresesh, duke përfshirë delegimin e mëmësisë.

Ndonjëherë, vuajtja mund të bëhet aq e rëndë sa nënat e braktisin projektin e migrimit më herët sesa pritej, duke u kthyer në shtëpi.

Situata në Bullgari

Provinca Montana e Bullgarisë është një tjetër zonë me emigracion të lartë të Evropës Lindore, e ngjashme me Zmeun në Rumani.

Maria Lazarova, një sindikaliste në Bullgari, tha se largimi nga vendi është pothuajse një zgjedhje e detyruar sepse mbyllja e fabrikave që nga fundi i Bashkimit Sovjetik ka lënë pak vende pune dhe paga të ulëta. Sindikata e saj i ka këshilluar ata që dëshirojnë të emigrojnë të mbështeten te agjencitë lokale dhe të shmangin ndërmjetësuesit e paligjshëm.

"Ne jetojmë në një vend me profesion bujqësor, por pagat janë të ulëta dhe bullgarët duhet të gjejnë të ardhurat e tyre jashtë vendit", tha Bozhura Fidanska, një studiuese në Institutin e Ekonomisë Bujqësore në Sofje.

Edhe të diplomuarit në bujqësi rrallë qëndrojnë, tha ajo.

Iva, 53 vjeçe, një punëtore ferme nga provinca Montana, kujtonte ende kohën kur la vajzat e saj adoleshente e u nis për në Itali me burrin e saj. Edhe pse vajzat e Ivas ishin adoleshente kur ajo u largua nga Montana për në Itali me burrin e saj, ajo ende e kujton dhimbjen.

“Meqë na duheshin para për libra dhe shpenzime të tjera, ia besova vjehrrës sime. Më mungonin tmerrësisht, por këtë vendim e mora për to”, tha ajo.

64-vjeçarja Rosita Alexandrova, një mësuese në provincën Montana, u emocionua kur foli për fëmijët që ajo i njeh e që jetojnë larg nënave.

“Me kalimin e viteve kam pasur shumë studentë nënat e të cilëve jetonin larg. Sapo vinin në mëngjes më kërkonin t'i përqafoja sepse ishin të vetmuar. Disa prej tyre ishin veçanërisht të trishtuar, kështu që më kërkonin t'u shkruaja letra dhe karta për t'i dërguar në Itali ose Spanjë", tha ajo për Al Jazeeran.

E ardhme më e mirë

Teodora Dimitrova, një tjetër mësuese në Montana, tha se shumica e nxënësve e dinë se nënat e tyre u larguan për të fituar më shumë para dhe për t'u ofruar atyre një të ardhme më të mirë.

Kursimet i lejuan ata të dërgonin fëmijët e tyre në shkollë të mesme dhe kolegj, gjë që do të ishte e pamundur pa u larguar për punë.

Megjithatë, vendime të tilla të dhimbshme nuk vijnë pa keqardhje.

Svetlana, një nënë 29-vjeçare nga Montana, tha se nëse do të mund të kthehej pas në kohë, nuk do t'i linte dy vajzat e saj në Bullgari si foshnja.

Vajza e saj më e vogël ishte një vjeçe kur u largua për të punuar në një fermë në Kalabri, në Italinë jugore.

“Kur më e vogla filloi të fliste, ajo më pyeti: “Mami, kur do të kthehesh? Pse po na lini vetëm?’. Ndërsa qëndronin me gjyshet e tyre, u telefonoja tri ose katër herë në natë dhe qaja”, tha ajo për Al Jazeeran.

Pas disa vjetësh Svetlana nuk mundi të duronte më dhe i solli fëmijët e saj në Itali.

Iva punonte në fusha italiane në rajonin e Pulias, ku ajo përshkroi se nuk paguhej dhe keqtrajtohej.

“Shkova për të punuar afër Foggias. Ishte aq vapë saqë ne punonim nga mëngjesi deri në mesditë. Pastaj flinim në kotecin e pulave, mbi një trap, për dy orë. Pastaj ktheheshim në punë në orën 18:00 deri në 4 të mëngjesit. Nuk kam pasur kontratë, prandaj kam punuar pa dokumente”, tha Iva.

Bazuar në vlerësimet e punës bujqësore pa dokumente, ka midis 51 mijë dhe 57 mijë punonjëse femra të shfrytëzuara në Itali, pothuajse të padukshme për institucionet, sindikatat dhe organizatat e shoqërisë civile.(Emrat e punëtorëve u ndryshuan me kërkesë të tyre)

Përktheu: Forca Jashari