Botë

Garë e ashpër për postin e kryeministrit në Greqi

Nt: Mitsotakis humbi epërsinë dyshifrore në sondazhet e opinionit pas fatkeqësisë hekurudhore të 28 shkurtit, në të cilën mbetën të vdekur 57 persona, shumë prej tyre studentë universiteti - duke goditur narrativën e qeverisë për të vepruar si modernizuese e orientuar drejt biznesit.

Athinë, 20 maj (AP) - Athina ka bërë përgatitjet e fundit për zgjedhjet e përgjithshme që mbahen të dielën në Greqi. Punëtorët e komunave kanë rregulluar kutitë e votimit dhe fletëvotimet nëpër të gjitha klasat e shkollave në kryeqytetin grek.

Për herë të parë në më shumë se një dekadë, grekët do t’ia mësyjnë kutive të votimit për të zgjedhur liderin, të cilit nuk do t’i duhet më të merret me ringjalljen e ekonomisë pas krizës së thellë që përjetoi Greqia.

Kryeministri konservator, Kyriakos Mitsotakis, po kërkon mandatin e dytë pasi regjimi i ashpër në kontrollin e shpenzimeve të urdhëruara nga huadhënësit ndërkombëtarë të paketës së shpëtimit përfundoi verën e kaluar.

I diplomuari i Harvardit, duke folur po aq rehat në anglisht sa greqishtja e tij amtare, siguroi zhvillim të lartë ekonomik, rënie të madhe të papunësisë dhe mundësoi që Greqia të jetë në prag të kthimit në shkallën e investimit në tregun global të bonove.

Borxhet ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar janë shlyer para kohe.

Javë më parë ishte parashikuar se 55-vjeçari do të fitojë ngushtë, por partia e tij e qendrës së djathtë mund të dështojë të arrijë në pushtet për shkak se votuesit dhe partitë e tjera kanë nisur të këndellen nga beteja e gjatë për mbijetesë ekonomike.

Në tubimin e tij të fundit, Mitsotakis ka premtuar politika të ashpra për kontrollin e kufijve.

Në këtë tubim ai është përqendruar në krizën e shtetit me migrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika, të cilët kanë shfrytëzuar Greqinë si stacion të parë drejt Evropës Perëndimore.

Mitsotakis humbi epërsinë dyshifrore në sondazhet e opinionit pas fatkeqësisë hekurudhore të 28 shkurtit, në të cilën mbetën të vdekur 57 persona, shumë prej tyre studentë universiteti - duke goditur narrativën e qeverisë për të vepruar si modernizuese e orientuar drejt biznesit.

Gjashtë parti politike do të konkurrojnë për përfaqësim kombëtar, duke filluar nga nacionalistët skeptikë ndaj NATO-s deri te një Parti Komuniste e zëshme në admirimin e saj ndaj Bashkimit Sovjetik 32 vjet pas rënies së tij.

Partia e ekstremit të djathtë grekë, e themeluar nga një ish-deputet i burgosur me një histori aktiviteti neonazist, u ndalua për pjesëmarrje nga Gjykata e Lartë.

Në krye të opozitës është 48-vjeçari, Alexis Tsipras, një ish-kryeministër dhe lider i partisë së majtë Syriza. Fushata e tij është fokusuar shumë në katastrofën hekurudhore dhe skandalin e përgjimeve.

Sondazhet e opinionit tregojnë se zgjedhjet e së dielës nuk do të nxjerrin një fitues të plotë sipas sistemit të ri të përfaqësimit proporcional. Mund të nevojiten zgjedhje të reja në fillim të korrikut, kur sistemi do të rikthehej në atë që favorizon partinë fituese me një bonus vendesh në parlament.

Më shumë se 9.8 milionë grekë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës për 300 ligjvënës në parlamentin njëdhomësh që shërbejnë për një mandat katërvjeçar. Mosha e votimit do të ulet për herë të parë në 17 vjeç, ndërsa një tjetër herë e parë do jetë që qytetarët grekë që jetojnë jashtë do të lejohen të votojnë në vendin e tyre të banimit.

Vendvotimet në 22 mijë qendra votimi do të hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të qëndrojnë të hapura për 12 orë. Ministria e Brendshme vlerëson se deri në orën 22:00 do të numërohen 80% e votave.