Botë

Përfundon ultimatumi, fillon evakuimi i banorëve zviceranë

Autoritete zvicerane kanë urdhëruar prej tri ditësh banorët e një fshati të vogël që të evakuohen për shkak të rrezikut nga shembja e gurëve.

E premtja, 12 maj, është dita e fundit për t’u larguar nga fshati Brienz.

Por, shumica janë larguar të enjten. Fermerët janë parë duke mbushur kamionët me lopët dhe duke i larguar nga fshati. Disa zona përreth janë rrethuar me shirita të verdhë që paralajmërojnë rrezikun e rënies së shkëmbinjve në pesë gjuhë.

Image
Një shenjë rruge thotë, “në rast se ndizet drita e kuqe, ka rrezik për rrëshqitje shkëmbinjsh”. (Reuters)

Autoritetet e Zvicrës kanë thënë se Brienzi është në rrezik pasi shkëmbinjtë ka shumë gjasa të bien nga mali dhe ta shkatërrojnë fshatin i cili është rreth luginës, shkroi ABC. 

“Shkëmbi bie teposhtë me një shpejtësi prej 36 metrash në vit”, ka thënë Christian Gartmann nga menaxhmenti i krizave të Albulas – komuna që përfshin Brienzin.

“Ne presim që të bie drejt fshatit në ditët apo javët në vazhdim”.

Image
Pluhuri mbuloi fshatin pasi nisi evakuimi. (Reuters)

Popullsia e Brienzit është më pak se 100 persona. Kryetari i fshatit është i sigurt se deri mbrëmjen e së premtes, të gjitha do të jenë larguar.

Hanneke Bonifaci, banore e fshatit, është shprehur se është kohë e shkurtër për t’u shpërngulur, por se nuk kanë zgjidhje tjetër.

Madhësia e dëmit që mund të bie mbi Brienzin mbetet e panjohur për të gjithë.

“Shkëmbi mund të bie në copa, që do të ishte më e preferueshme. Mund të bie po ashtu komplet, që do të ishte shkatërrues për fshatin”, ka deklaruar Gartmann.