Një gjykatë në Pakistan ka vendosur të mërkurën që ish-kryeministri Imran Khan të mbahet në burg për tetë ditë, pas akuzave për korrupsion, raportoi “Euronews”.
Vendimi i gjykatës u mor një ditë pasi lideri popullor i opozitës në vend u tërhoq nga një sallë gjyqi dhe u arrestua.
Arrestimi i tij shkaktoi përleshje midis mbështetësve të tij dhe policisë të martën, duke lënë të paktën katër persona të vdekur. Të mërkurën, protestuesit sulmuan dhe i vunë flakën një ndërtese ku ndodhet “Radio Pakistani”.
Politikani 70-vjeçar humbi pushtetin vitin e kaluar, por mbetet figura më e njohur e opozitës në vend. Ai është ish-kryeministri i shtatë që arrestohet në Pakistan. Arrestimi i tij dramatik të martën thelloi trazirat politike.
Në provincën lindore Punjab, ku autoritetet njoftuan se 157 oficerë policie u plagosën në përleshjet me mbështetësit e Khanit, qeveria lokale i kërkoi ushtrisë të ndërhynte dhe të rivendoste rendin.
Byroja Kombëtare e Përgjegjshmërisë kërkoi një paraburgim 14-ditor të Khan, por gjykata tha se autoritetet mund ta mbanin atë në paraburgim për tetë ditë.
Ndërkohë, ekipi ligjor i Khan kundërshtoi arrestimin e tij përpara Gjykatës së Lartë të Islamabadit, duke kërkuar lirimin e tij.
Në mars, policia bastisi rezidencën e Khan në Lahore, duke kërkuar ta arrestonte atë në një rast korrupsioni që lidhej me fshehjen e të ardhurave nga shitja e dhuratave zyrtare.