Botë

Vritet lideri i bandës famëkeqe ekuadoriane

Zyrtarët në Ekuador kanë njoftuar se lideri i bandës Los Choneros, që ishte prapa trazirave vdekjeprurëse në burgjet e këtij shteti, është vrarë në një lagje në Kolumbi, raporton BBC.

Trupi i gjetur në një pyll në provincën Antioquia është identifikuar si ai i Junior Roldanit.

Ai iku në Kolumbi pasi u lëndua u plagos në vendlindje.

Roldan ishte liruar nga burgu në shkurt.

Trupi i tij, që kishte plagë arme në kokë, u gjet të shtunën.

Kryetari i Fredonias, qytet në Kolumbi ku u gjet trupi, ka thënë se dyshohet se Roldan është vrarë diku tjetër dhe trupi i tij u hodh aty. Ai thotë se asnjë prej banorëve lokalë nuk u kujtohet se e kanë parë atë.

Ministri i Brendshëm i Ekuadorit ka thënë se ekspertët e forenzikës kanë qenë në gjendje ta identifikojnë trupin e Roldanit nëpërmjet tatuazheve që kishte dhe shenjave tjera në trup.

Roldan ishte në arrati, pasi kishte hequr nga kyçi pajisjen elektronike që i ishte vendosur pasi ishte liruar nga burgu.

Lideri i bandës kaloi në Kolumbi pasi ishte qëlluar dhe plagosur në mars nga anëtarët e bandës rivale Los Lobos.

Ai po ashtu i mbijetoi një sulmi tjetër që ishte bërë me një dron të mbushur me eksploziv në burgun ku kishte qenë duke vuajtur dënimin.

Përkundër historive të tentimeve të vrasjeve, komandanti i Policisë së Ekuadorit, gjenerali Fausto Salinas, thotë se raportet e inteligjencës sugjerojnë se vrasja e tij nuk ishte si pjesë e luftës mes bandave rivale.

Salinas nuk ka dhënë detaje se kush e ka vrarë apo pse.

Policia ka thënë se vrasja e Roldanit është një goditje për bandën Los Choneros.