Botë

Mbi 100 të vdekur nga përmbytjet në Ruandë

Më shumë se 100 njerëz kanë vdekur pasi përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë goditur pjesë veriore dhe perëndimore të Ruandës, raportoi të mërkurën BBC-ja.

Transmetuesi publik i Ruandës ka raportuar se numri i viktimave pritet të rritet pasi përmbytjet nuk po ndalen.

Qeveria e këtij vendi ka njoftuar se prioriteti kryesor është të arrijë të sigurojë shpëtimin e çdo personi të bllokuar.

Ministrja për emergjencat, Marie Solange Kayisire, ka njoftuar se tashmë kanë filluar ndihmat, përfshirë edhe varrosjen e viktimave dhe sigurimin e furnizimeve për ata, të cilëve u janë shkatërruar vendbanimet.

Autoritetet kanë njoftuar se shirat e dendur e kanë goditur Ruandën gjatë gjithë natës dhe priten të tjera rrebeshe gjatë gjithë muajit.

Këto janë përmbytjet më të këqija që kanë ndodhur në Ruandë që nga maji i vitit 2020, kur rreth 80 njerëz vdiqën.

Vdekje janë raportuar gjithashtu në Ugandën fqinje, ku gjashtë persona kanë vdekur pas rrëshqitjeve të dheut, thotë Kryqi i Kuq i Ugandës.