Botë

A është India gati të përballet me temperaturat ekstreme

(BBC) - Në romanin e tij më të shitur të vitit 2020, The Ministry For The Future, shkrimtari i fantashkencës, Kim Stanley Robinson e nis me një valë të nxehti vdekjeprurës në Indi, i cili merr jetët e miliona njerëzve.

Qielli shkëlqen si “bombë atomike”, nxehtësia prej tij ndihet si “shuplakë në fytyrë”, sytë xixëllojnë dhe “gjithçka ishte e nxirë dhe bezhë, një e bardhë e fort e shkëlqyeshme, e padurueshme”. As uji nuk kryen punë, se është shumë “i nxehtë si banjë...më i keq se ajri”. Njerëzit vdesin “më shpejt se kurrë”.

Përralla distopike e Robinsonit për ngrohjen globale mund të jetë një lloj fantazie tmerri, por është gjithashtu një paralajmërim rrëqethës. Në fillim të kësaj jave, 12 njerëz vdiqën nga goditja e nxehtësisë dhe shumë të tjerë u shtruan në spital pasi morën pjesë në një ngjarje të sponsorizuar nga qeveria në një terren të hapur nën një diell flakërues në Navi Mumbai në shtetin Maharashtra të Indisë.

India është një nga vendet më të ekspozuara dhe më të ndjeshme ndaj nxehtësisë. Ditët e nxehta dhe ngjarjet e natës së nxehtë janë rritur ndjeshëm dhe parashikohet të rriten midis dy dhe katërfish deri në vitin 2050. Valët e të nxehtit gjithashtu parashikohen të arrijnë më herët, të qëndrojnë më gjatë dhe të bëhen më të shpeshta.

Zyra e motit ka parashikuar temperatura mbi mesataren dhe valë të nxehta deri në fund të majit. Temperaturat mesatare në Indi janë rritur me rreth 0.7% midis 1901 dhe 2018, pjesërisht për shkak të ndryshimeve klimatike.

Valët e të nxehtit kanë lënë të vdekur më shumë se 22 mijë njerëz midis viteve 1992 dhe 2015, sipas shifrave zyrtare. Ekspertët mendojnë se numri aktual do të ishte shumë më i lartë. Megjithatë, vendi me të vërtetë “nuk e ka kuptuar rëndësinë e nxehtësisë dhe se si nxehtësia mund të vrasë”, ka thënë Dileep Mavalankar, drejtor i Institutit Indian të Shëndetit Publik me bazë në Gujarat. “Kjo është pjesërisht, sepse ne nuk i përpilojmë siç duhet të dhënat tona të vdekshmërisë”.

Krijimi i planeve

Prof Mavalankar duhet ta dijë. Në maj të vitit 2010, ai ka zbuluar se qyteti i Ahmedabadit kishte regjistruar 800 vdekje të tepërta nga të gjitha shkaqet - masë që tregon se sa më shumë njerëz po vdesin sesa pritej, krahasuar me vitet e mëparshme - gjatë një jave të mprehtë me temperatura rekord. Ishte e qartë, ka thënë ai, se nxehtësia po linte të vdekur shumë njerëz. Ai ka theksuar se studiuesit krahasuan numrin e përgjithshëm të vdekjeve në qytet me temperaturën maksimale të regjistruar në ditë dhe vendosën tri alarme të koduara me ngjyra, me paralajmërimin e kuq që shkakton mbi 45 gradë celsius.

I nxitur nga këto gjetje, Mavalankar ka ndihmuar në krijimin e planit të parë të veprimit të Indisë për ngrohjen për qytetin e Ahmedabadit. Plani filloi në vitin 2013 dhe mbrojti zgjidhje të thjeshta, si qëndrimi brenda, pirja e shumë ujit para se të dilte jashtë dhe shkuarja në urgjencën e spitalit nëse dikush ndihej i sëmurë. Deri në vitin 2018, thotë ai, vdekjet nga të gjitha shkaqet kishin rënë me një të tretën në qytetin e nxehtë dhe të thatë.

Mirëpo lajmi i keq është se planet e veprimit për të nxehtin në Indi duket se nuk po funksionojnë aq mirë. Është e paqartë nëse autoritetet në Navi Mumbai kanë pasur një plan veprimi në vend kur raportohet se miliona njerëz u lejuan të mblidheshin nën qiellin e hapur.

Një studim i ri i 37-të planeve të veprimit për ngrohjen në nivel qyteti, rrethi dhe shteti nga Aditya Valiathan Pillai dhe Tamanna Dalal nga Qendra për Kërkime Politike, një institut kërkimi, gjeti shumë mangësi.

Shumica e planeve nuk janë “të ndërtuara për kontekstin lokal dhe kanë një pamje të tepërt të rreziqeve”. Vetëm 10 nga 37 planet e studiuara duket se përcaktojnë pragjet e temperaturës të përcaktuara në nivel lokal, megjithëse ishte e paqartë nëse ata morën parasysh faktorë si lagështia gjatë shpalljes së një valë të nxehti. “Ne rekomandojmë nuancimin dhe lokalizimin e përkufizimit të rrezikut të nxehtësisë duke përfshirë parashikimet klimatike”, ka shpjeguar Pillai. Një mënyrë për ta bërë këtë është të kemi më shumë stacione të automatizuara të motit në nivele fshati, sipas Mavalankarit.

Së dyti, studiuesit kanë zbuluar se pothuajse të gjitha planet ishin të dobëta në “identifikimin dhe synimin e grupeve më të ndjeshme”. Punëtorët e fermave dhe të ndërtimit që mundohen në natyrë, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe fëmijët ishin më të rrezikuar nga nxehtësia.

Pasojat nga i nxehti

Rreth tri të katërtat e punëtorëve të Indisë punojnë në punë të ekspozuara ndaj nxehtësisë si ndërtimi dhe miniera. “Punëtorët po humbasin aftësinë për të punuar në mënyrë të sigurt dhe efikase jashtë ndërsa planeti ngrohet. Po bëhet shumë nxehtë dhe ka lagështi që të ftohen mjaftueshëm kur gjenerojnë një sasi të madhe nxehtësie trupore kur kryejnë punë të rënda”, ka thënë studiuesi i klimës, Luke Parsons nga Universiteti Duke, Karolina e Veriut.

Kjo përkeqësohet gjatë valëve të të nxehtit, pasi ka më pak orë pune të sigurta dhe produktive gjatë ditës, shton ai.

Pillai ka theksuar se India ka nevojë për “kuptim të thellë se cilat lagje kanë shumicën e njerëzve që punojnë në punë ku janë të ekspozuar ndaj nxehtësisë dhe nëse ata mund të përballojnë të blejnë një ftohës ose të përballojnë të mos punojnë”. Ai shton: “Ju mund të keni një situatë ku 3% e sipërfaqes së qytetit përmban 80% të popullsisë më të ndjeshme”.

Gjithashtu, shumica e planeve të veprimit të ngrohjes duket se janë të pafinancuara, kishin baza të dobëta ligjore me përgjegjshmëri të pakët dhe nuk ishin mjaft transparente, zbuluan Pillai dhe Dalal.

Zgjidhjet e valëve të të nxehtit shpesh mund të jenë të thjeshta - mbjellja e mjaftueshme e pemëve në zona jashtëzakonisht të ekspozuara dhe të nxehta ose përdorimi i zgjedhjeve të projektimit për të zvogëluar fitimin e nxehtësisë dhe për të rritur humbjen e nxehtësisë në ndërtesa.

Ndonjëherë zgjidhjet e thjeshta të mbikëqyrjes, si lëvizja e pacientëve nga kati i fundit i pjekjes në një kat të poshtëm të një spitali pa kondicioner, mund të mbrojnë jetët, siç zbuloi një studim në Ahmedabad. Pasja e mbrojtjes së punëtorëve për të ndaluar ose ngadalësuar punën nëse është shumë nxehtë mund të ndihmojë që njerëzit të mos ndiejnë nevojën për të vazhduar punën me intensitet të lartë kur nuk është e sigurt, thotë zoti Parsons.

India ka parë një rritje prej 55% të vdekjeve për shkak të nxehtësisë ekstreme midis viteve 2000-2004 dhe 2017-2021, zbuloi një studim i fundit i botuar në revistën mjekësore, “The Lancet”. Ekspozimi ndaj nxehtësisë ka shkaktuar gjithashtu një humbje prej 167.2 miliardë orësh të mundshme pune midis indianëve në vitin 2021, duke rezultuar në humbje të të ardhurave ekuivalente me rreth 5.4% të GDP-së së vendit.

Por është e qartë se indianët ende nuk po e marrin mjaft seriozisht nxehtësinë.

Sipas raportimeve, vendi në Navi Mumbai ku ishte zhvilluar ceremonia e qeverisë kishte regjistruar një temperaturë maksimale prej 38 gradë Celsius. Megjithatë, fotot e ngjarjes treguan mijëra të ulur direkt nën diell pa çati ose mbulesë. Vetëm disa mbanin çadra, ose peshqirë të mbështjellë në kokë.

“Unë jetoj në Delhi ku temperatura mund të arrijë 50 gradë Celsius dhe shoh shumë pak njerëz që nxjerrin edhe çadrat e tyre”, ka treguar Pillai.

Përktheu: Blerta Haxhiu