Botë

Gjermani, greva masive në transport në dy ditët e ardhshme

Qytetarët e Gjermanisë do të përballen të enjten dhe të premten me greva të reja masive në sektorin e transportit, duke prekur disa aeroporte dhe të gjithë trafikun hekurudhor, u njoftua të mërkurën, shkruan The Guardian.

“Ne nuk duam të ndëshkojmë pasagjerët, por të rrisim presionin mbi administratën hekurudhore”, ka thënë presidenti i sindikatës së punonjësve të sektorit hekurudhor (EVG), Frank Werneke

Si shkak për grevën e gjithë sektorit hekurudhor, e cila do të zhvillohet të premten nga ora 03:00 deri në orën 11:00, ai ka përmendur vështirësitë në negociatat për kontratën e re tarifore.

EVG-ja është duke negociuar që punonjësit e saj të kenë rritje page me të paktën 650 euro dhe refuzon propozimin e punëdhënësit që EVG-ja të respektojë edhe marrëveshjen e arritur së fundmi ndërmjet punonjësve në shërbimet publike dhe punëdhënësve shtetërorë.

Hekurudhat Gjermane (DB), punëdhënësi më i madh në negociatat me EVG-në, kritikuan grevën e paralajmëruar e cila, sipas përfaqësuesve të saj, pavarësisht se ajo është e kufizuar në gjysmë dite, do të shkaktojë vështirësi të mëdha në trafik.

“Kjo grevë është krejtësisht e panevojshme dhe do të prekë shumë udhëtarë çdo ditë”, ka thënë përfaqësuesi i DB, Martin Sailer.

Për të rritur presionin ndaj punëdhënësve në negociatat aktuale, sindikata e sektorit publik Verdi ka ftuar punonjësit në aeroportet e Duseldorfit, Koelnit/Bonnit dhe Hamburgut në një grevë dyditore.

Më pak se katër javë më parë, sindikatat e punonjësve të sektorit të transportit hynë në grevë në një aksion të koordinuar në të gjithë vendin.