Botë

Opozita në Indi akuzon kryeministrin Modi për keqpërdorim të pushtetit

Më shumë se 100 deputetë opozitarë në Indi, përfshirë anëtarë të Kongresit, kanë marshuar kundër kryeministrit, Narendra Modi.

Protestuesit me flamuj kombëtarë kanë tërhequr vërejtjen për cenimin e demokracisë dhe kanë akuzuar Modin se po keqpërdorë agjencitë e hetimeve për të poshtëruar liderët e opozitës.

Ligjvënësit nga të gjitha partitë opozitare janë bllokuar nga policia pak minuta pasi dolën nga Parlamenti. Ata janë detyruar të shpërndahen.

Opozitarët kanë protestuar kundër diskualifikimit të liderit opozitar Rahul Gandhi, vetëm pak ditë pasi u shpall fajtor për shpifje.

Gandhi pritet të jetë kandidati i opozitës kundër kryeministrit Modi në zgjedhjet kombëtare të vitit 2024.

Ai është dënuar pasi u tall me mbiemrin e kryeministrit.

Ndërkaq, Modi është shprehur i bindur se partia e tij do ta fitojë edhe mandatin e tretë me radhë.