Botë

Katër fëmijë vriten në kopsht nga një person në Brazil

Shiriti i policisë

Foto: Ilustrim

Të paktën katër fëmijë janë vrarë të mërkurën nga një burrë në një kopsht fëmijësh në Blumenau të Brazilit, raportoi BBC-ja.

Siç kanë njoftuar zyrtarët lokalë, katër fëmijë të tjerë janë plagosur nga 25-vjeçari që hyri në çerdhe rreth orës 09:00.

Zyrtarët e spitalit kanë thënë se të plagosurit janë të gjithë nën moshën tre vjeç.

Policia ka njoftuar se sulmuesi është dorëzuar dhe është arrestuar, teksa zjarrfikësit kanë bërë të ditur se rreth 40 fëmijë kanë qenë brenda çerdhes në momentin e sulmit.

Guvernatori i rajonit Santa Catarina – ku ndodhet Blumenau – ka shpallur tre ditë zie.

Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva nëpërmjet një shkrimi në Twitter, ka shprehur keqardhjen e tij për rastin e ndodhur.

"Nuk ka dhimbje më të madhe se ajo e një familjeje që humbë fëmijët apo nipërit e saj, aq më tepër kur është përmes një akti dhune ndaj fëmijëve të pafajshëm që nuk mund të mbrohen", ka shkruar ai.

Nuk është hera e parë që një kopsht fëmijësh në këtë vend është shënjestër e një sulmi. Në vitin 2021, një 18-vjeçar vrau dy anëtarë të stafit dhe tre fëmijë të vegjël në një çerdhe në Saudades.