Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka falënderuar Serbinë për “përkrahje të Ukrainës”, pavarësisht se ky shtet është ndër të paktit që s’është në vijë me politikat perëndimore në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë pushtuese.
Në një shkrim në Twitter, Chollet ka lajmëruar për takimin me ambasadorin serb në SHBA, Marko Gjuriq. Ka treguar se me të kanë diskutuar për rëndësinë e implementimit të zotimeve të dhëna në Marrëveshjen e Ohrit.
“I lumtur që takova ambasadorin Marko Gjuriq sot dhe diskutuam për rëndësinë e implementimit të zotimeve në Marrëveshjen e BE-së nga Ohri, për të avancuar aspiratat e Serbisë drejt BE-së. Falënderova Serbinë për përkrahje të Ukrainës. Ndava entuziazmin e SHBA-së për të mirëpritur një diplomat serb në programin ndërlidhës të Departamentit të Shtetit këtë vjeshtë”, ka shkruar ai.
Serbia është ndër të paktat vende evropiane që s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë, që nga nisja e pushtimit të Ukrainës. Shpeshherë, liderë serbë kanë thënë se “janë në presion të Perëndimit për këtë çështje”.