Botë

Arrin në 35 numri i të vdekurve që ranë në një pus, pas shembjes së dyshemesë së një tempulli në Indi

Të paktën 35 persona kanë vdekur pasi kanë rënë në pusin që ndodhej nën dyshemenë e një tempulli në shtetin qendror indian të Madhya Pradesh. Kjo pasi që dyshemeja e tempullit u shemb.

14 persona të tjerë janë shpëtuar dhe një person është ende i zhdukur në aksidentin e ndodhur në qytetin Indore.

Policia ka bërë të ditur se viktimat ishin duke qëndruar në një pllakë betoni mbi pus, kur ajo u shemb si pasojë e peshës së tyre.

Kryeministri indian Narendra Modi ka shprehur keqardhje për këtë fatkeqësi.

Incidenti ndodhi të enjten gjatë një ceremonie lutjeje të organizuar në tempullin Beleshwar Mahadev Jhulelal, me rastin e festivalit hindu të Ram Navami.

Një turmë e madhe besimtarësh po qëndronin në pllakën e betonit që mbulonte pusin dhe pas shembjes së saj, dhjetëra persona u zhytën në pusin rreth 12 metra të thellë.

Mediat lokale raportuan se tempulli u ndërtua pasi pusi ishte mbuluar rreth katër dekada më parë. / BBC