Botë

Vatikani i përgjigjet kërkesave të indigjenëve, refuzon zyrtarisht “Doktrinën e Zbulimit”

Papa Francescu

Vatikani të enjten i është përgjigjur kërkesave të shumta të indigjenëve duke hedhur poshtë zyrtarisht “Doktrinën e Zbulimit”, teoritë e mbështetura nga lloje të dekreteve publike e kartave të lëshuara nga papa e Kishës Katolike që legjitimonte sekuestrimin e tokave gjatë epokës së kolonizimit dhe që përbëjnë bazën e disa prej ligjeve të pronave sot.

Në deklaratën e lëshuar nga Vatikani është thënë se ato dekrete të lëshuara në shekullin e XV, “nuk pasqyronin në mënyrë adekuate dinjitetin dhe të drejtat e barabarta të popujve indigjenë” dhe nuk janë marrë kurrë ato si shprehje të besimit katolik.

Është thënë se dokumentet ishin “manipuluar” për qëllime politike nga ana e fuqive kolonizuese për “të justifikuar aktet jomorale që kryen kundër popujve indigjenë, nganjëherë, pa kundërshtimin e autoriteteve kishtare”.

Deklarata, nga zyrat për zhvillim dhe arsim të Vatikanit, tha se është e drejtë të “njihen këto gabime”, të pranohen efektet e tmerrshme të politikave të asimilimit të epokës së kolonizimit mbi popujt indigjenë dhe të kërkohet falja e tyre.

Deklarata ishte një përgjigje ndaj kërkesave që indigjenët kishin drejtuar te Vatikani për shumë dekada, që t’i shfuqizonte zyrtarisht ato dekrete që iu dhanë mbretërive të Portugalisë dhe Spanjës mbështetjen e Kishës për të zgjeruar territoret e tyre në Afrikë dhe Amerikë “për hir të përhapjes së krishterimit”.

Këto dekrete mbështesin “Doktrinën e Zbulimit”, një koncept ligjor i krijuar nga Gjykata e Lartë e SHBA-së në vitin 1823, që erdhi te përfundimi se pronësia dhe sovranitetin mbi tokën i kaloi evropianëve sepse “ata e zbuluan atë”.

Kjo u citua së fundi në një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2005 që përfshinte kombin indian Oneida.