Botë

Mbi 2000 gra padisin Qeverinë e Zvicrës për politikat në lidhje me ndryshimet klimatike

Mbi 2000 gra të moshuara kanë dërguar Qeverinë e Zvicrës në gjykatë duke pretenduar se politika e saj për ndryshimet klimatike po i shkel të drejtat e tyre për jetë dhe shëndet, raporton BBC.

Rasti i tyre është i pari në të cilën Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR) do të dëgjojë për ndikimin e ndryshimeve klimatike në të drejtat e njeriut.

Ky rast është dërguar në ECHR pas gjashtë vjetëve beteja të pasuksesshme nëpër gjykatat zvicerane.

Temperaturat në Zvicër po rriten më shpejt sesa mesatarja globale dhe ka shumë më tepër valë të nxehtit.

Gratë zvicerane – që e quajnë veten “Klubi i Veteraneve të Klimës” dhe kanë moshë mesatare prej 73 vjet – thonë se ndryshimet klimatike po vënë të drejtat e tyre të njeriut, të drejtat e shëndetit dhe madje edhe jetët e tyre në rrezik. Në mesin e dëshmive të tyre në gjykatë përfshin edhe të dhënat e tyre mjekësore.

Ato duan që ECHR të detyrojë Zvicrën të punojë më fortë të reduktojë emetimin e gazrave.

Elisabet Stern, një nga gratë prapa padisë, ka thënë për BBC: “Për shkak të ndryshimeve klimatike, ne kemi më tepër valë të nxehtit dhe gratë e moshuara vuajnë më tepër. Ato vdesin më shpesh gjatë këtyre valëve. Disa njerëz thonë, pse po ankoheni, do të vdisni gjithsesi. Por, ne nuk duam të vdesim vetëm pse Qeveria e Zvicrës nuk ka qenë e suksesshme të dalë me një politikë të denjë për klimën”.

Qeveria e Zvicrës nuk mohon se ndryshimet klimatike mund të ndikojë në shëndet, por pretendon se nuk mund të gjejë një lidhje specifike me shëndetin e grave të moshuara.

Nëse gratë janë të suksesshme, rasti do të krijonte një precedent për secilën prej 46 shteteve anëtare të Gjykatës Evropiane.