Botë

Planifikimi në detaje i masakrës në Nashville

Një ish-nxënëse ka qëlluar për vdekje tre fëmijë dhe tre të rritur në një shkollë të krishterë në Nashville, Tennesse. Masakra ishte planifikuar deri në detaje nga autorja e sulmit dhe madje përfshinte edhe vizatimin e hartës së shkollës, me të gjitha pikat e mundshme të hyrjes në ndërtesë

Ish-nxënësja që qëlloi dyert e një shkolle fillore të krishterë në Nashville dhe vrau tre fëmijë dhe tre të rritur, kishte vizatuar një hartë të detajuar të shkollës, duke përfshirë pikat e mundshme të hyrjes, dhe kishte vëzhguar ndërtesën para kryerjes së masakrës.

Shefi i Policisë Metropolitane të Nashville, John Drake, nuk tha saktësisht se çfarë e shtyu sulmuesen të hapte zjarr të hënën në mëngjes në shkollën The Covenant përpara se të vritej nga policia. Por ai dha shembuj rrëqethës të planifikimit të përpunuar të sulmueses për sulmin në shënjestër, i fundit në një seri të shtënash masive në një vend, që është bërë gjithnjë e më i demoralizuar nga gjakderdhja në shkolla.

“Ne kemi një manifest, kemi disa shkrime që po i shqyrtojmë që kanë të bëjnë me këtë datë, incidentin aktual”, u tha ai gazetarëve. "Ne kemi një hartë të detajuar se si do të ndodhte e gjithë kjo".

Ai tha në një intervistë me NBC News se hetuesit besojnë se sulmuesja kishte "disa pakënaqësi në mënyrë që të shkonte në atë shkollë".

Rituali i njohur mes kaosit

Viktimat përfshinin tre fëmijë 9-vjeçarë, administratorin kryesor të shkollës, një mësues zëvendësues dhe një kujdestar. Në mes të kaosit u zhvillua një ritual i njohur: prindërit e panikuar nxituan në shkollë për të parë nëse fëmijët e tyre ishin të sigurt dhe i përqafuan ata teksa qanin, ndërsa komuniteti mbajti vigjilje për viktimat.

Rachel Dibble, e cila ishte në një kishë aty pranë, ku fëmijët u çuan për t'u ribashkuar me prindërit e tyre, e përshkroi skenën me të gjithë njerëzit në "shok të plotë".

"Njerëzit po dridheshin në mënyrë të pakontrolluar", tha ajo. “Fëmijët … e nisën mëngjesin me uniformat e tyre të vogla e të lezetshme dhe sot e gjithë jeta e tyre ndryshoi”.

Image

Identifikimi i autores dhe viktimave

Policia dha informacione të paqarta për gjininë e autores. Për orë të tëra, Policia e identifikoi autoren si një grua 28-vjeçare dhe përfundimisht e identifikoi personin si Audrey Elizabeth Hale. Më pas, në një konferencë shtypi vonë pasdite, shefi i Policisë tha se Hale ishte transgjinore. Pas konferencës për shtyp, zëdhënësi i Policisë, Don Aaron, nuk pranoi të shtjellonte se si Hale identifikohej aktualisht.

Autoritetet thanë se Hale ishte e armatosur me dy armë "të stilit të sulmit" si dhe një pistoletë. Të paktën dy prej tyre besohej se ishin marrë ligjërisht në zonën e Nashville, sipas shefit. Policia tha se një kontroll në shtëpinë e Halet gjeti një armë gjahu, një armë gjahu të dytë dhe prova të tjera të paspecifikuara.

Viktimat u identifikuan si Evelyn Dieckhaus, Hallie Scruggs dhe William Kinney, të gjithë 9 vjeç, dhe të rriturit Cynthia Peak, 61 vjeç; Katherine Koonce, 60 vjeç; dhe Mike Hill, 61 vjeç.

Faqja e internetit e The Covenant School, një shkollë presbiteriane e themeluar në vitin 2001, liston Katherine Koonce si drejtuese të shkollës. Profili i saj në LinkedIn thotë se ajo ka drejtuar shkollën që nga korriku i vitit 2016. Peak ishte një mësuese zëvendësuese dhe Hill ishte një kujdestare, sipas hetuesve.

E themeluar si një ministri e Kishës Presbiteriane të Besëlidhjes, The Covenant School ndodhet në lagjen e pasur Green Hills në jug të qendrës së Nashville, që është shtëpia e kafenesë së famshme Bluebird - një vend i dashur zakonisht nga muzikantët dhe kompozitorët.

Shkolla ka rreth 200 nxënës nga klasa parashkollore deri në klasën e gjashtë, si dhe afërsisht 50 anëtarë të stafit.

“Komuniteti ynë është zemërthyer”, thuhet në një deklaratë nga shkolla. “Ne jemi të pikëlluar për humbjet e jashtëzakonshme dhe jemi të tronditur nga terrori që shkatërroi shkollën dhe kishën tonë. Ne jemi të fokusuar të duam studentët tanë, familjet tona, fakultetin dhe stafin tonë dhe të fillojmë procesin e shërimit”.

“Repriza” amerikane

Përpara dhunës të së hënës në Nashville, kishte pasur shtatë vrasje masive në shkollat K-12 që nga viti 2006, në të cilat katër ose më shumë njerëz u vranë brenda një periudhe 24-orëshe, sipas një baze të dhënash të mbajtur nga Associated Press dhe USA Today në partneritet me Universitetin Northeastern. Në të gjithë ata që kanë qëlluar kanë qenë meshkuj.

Baza e të dhënave nuk përfshin të shtënat në shkolla në të cilat u vranë më pak se katër persona, të cilat janë bërë shumë më të zakonshme vitet e fundit. Vetëm javën e kaluar, për shembull, të shtënat në shkolla ndodhën në Denver dhe në zonën e Dallasit brenda dy ditësh nga njëra-tjetra.

Detajet drithëruese të tragjedisë

Tragjedia e së hënës u shpalos për rreth 14 minuta. Policia mori thirrjen fillestare për një gjuajtës aktiv në orën 10:13.

Oficerët filluan qartësimin e historisë së parë të shkollës kur dëgjuan të shtëna armësh që vinin nga niveli i dytë, tha Aaron. Policia më vonë tha se sulmuesja qëlloi në drejtim të oficerëve që kishin mbërritur nga një dritare e katit të dytë dhe kishte ardhur e armatosur me municion të konsiderueshëm.

Dy oficerë nga një ekip prej pesë anëtarësh hapën zjarr në përgjigje, duke vrarë të dyshuarën në orën 10:27 të mëngjesit, tha Aaron.

Të hënën vonë në mbrëmje, Policia publikoi përafërsisht dy minuta video të redaktuar mbikëqyrjeje që tregon makinën e sulmueses duke shkuar drejt shkollës nga këndvështrime të shumta, duke përfshirë një në të cilin fëmijët mund të shihen duke luajtur në sfond. Më pas, një pamje e brendshme tregon dyert e xhamit të shkollës duke u qëlluar nga jashtë dhe sulmuesja duke kaluar nëpër një nga dyert e thyera.

Pamjet nga brenda tregojnë sulmuesen duke ecur nëpër një korridor shkolle duke mbajtur një armë me një tytë të gjatë dhe duke hyrë në një dhomë të etiketuar "zyrë kishe", më pas duke u kthyer jashtë. Në pjesën e fundit të pamjeve, gjuajtësja shihet duke ecur në një korridor tjetër të gjatë me armën e tërhequr. Sulmuesja nuk shihet duke ndërvepruar me askënd tjetër në video, e cila nuk ka zë.

Aaron tha se nuk kishte oficerë policie të pranishëm në shkollë në kohën e të shtënave, sepse ajo është një shkollë e drejtuar nga kisha.

Kërkesat për ashpërsim të ligjeve për kontrollin e armëve

Presidenti Joe Biden, duke folur në Shtëpinë e Bardhë të hënën, i quajti të shtënat "makthin më të keq të një familjeje" dhe iu lut përsëri Kongresit të miratonte një ndalim për disa armë gjysmë-automatike.

Një qytet drithërues vajtoi gjatë vigjiljeve të shumta të hënën në mbrëmje. Në Kishën Metodiste, Belmont United, dënesa mbushi sfondin, ndërsa të pranishmit këndonin, u gjunjëzuan në lutje dhe ndezën qirinj.

“Ne duhet të tërhiqemi. Duhet të marrim frymë. Ne duhet të pikëllohemi", tha Paul Purdue, pastori i lartë i kishës. “Duhet të kujtojmë. Ne duhet të krijojmë hapësirë për të tjerët që janë të pikëlluar. Ne duhet të dëgjojmë të qarat e fqinjëve tanë”.

Përktheu: Forca Jashari