Botë

“Kurthi” i të bërit fëmijë në Poloni

Descriptive Text

Javën e kaluar, një gjykatë e Varshavës dënoi Wydrzyńskën për nxitje të abortit duke i dhënë Anias - emri i përdorur nga mediat polake për të identifikuar viktimën e dhunës në familje që tashmë kishte një fëmijë - me pilula aborti. Justyna Wydrzyńska e bëri atë për të shpëtuar Anian nga marrëdhënia e dhunshme në të cilën kjo e fundit gjendej.

Siç Justyna Wydrzyńska e vëren, Ania ishte viktimë e dhunës në familje ashtu siç ishte edhe ajo. Një tjetër fëmijë dhe ajo do të mbetej në kurth. Ishte viti 2020. Bllokimi nga pandemia. Të gjithë shqetësoheshin se kufijtë e Polonisë mund të mbylleshin, duke ndaluar udhëtimin dhe shërbimet postare.

Duke kërkuar të ndihmonte dikë, Wydrzyńska i dha Anias pilulat e abortit që ajo mbante në dorë për vete.

“Sapo i dërgova pilulat, sapo i ndava, sepse mendova se do të ishte mirë që ajo ta kishte këtë mjet dhe të vendoste çfarë të donte, (dhe mund të) të linte pa një fëmijë tjetër dhe të mund të çlirohej nga kjo marrëdhënie e dhunshme”, rrëfen Wydrzyńska në Bruskel.

“E dija vetë, momentin kur mbeta sërish shtatzënë, duke jetuar me një partner të dhunshëm, se nëse mbërthehesha me një fëmijë tjetër, nuk do të (shpëtoja) kurrë nga kjo martesë”, shton ajo, duke shpjeguar pse i bleu fillimisht tabletat. “Unë me të vërtetë shoh të njëjtën histori në jetët tona”.

Por sistemi i drejtësisë në Poloni e sheh situatën ndryshe. Javën e kaluar, Gjykata e Varshavës dënoi Wydrzyńskën për nxitje të abortit duke i dhënë Anias - emri i përdorur nga mediat polake për të identifikuar viktimën e dhunës në familje që tashmë kishte një fëmijë - me pilula aborti. Partneri i Anias i dorëzoi të dyja.

Aborti është i paligjshëm në pothuajse të gjitha rastet në Poloni, vend kryesisht katolik me qeveri thellësisht konservatore. Janë bërë përjashtime të rralla kur jeta ose shëndeti i një gruaje mund të jetë në rrezik, ose nëse shtatzënia rezulton nga përdhunimi ose incesti.

Përfundimi i shtatzënisë për shkak të defekteve të lindura të fetusit u lejua derisa një gjykatë e lartë vendosi në vitin 2020 se ato arsye ishin jokushtetuese.

Disa gra polake udhëtojnë në vende si Republika Çeke, Gjermania dhe Holanda për të kryer abort. Të tjera porosisin pilula nga jashtë për ta ndërprerë shtatzëninë. Mbajtja e pilulave të abortit dhe marrja e tyre nuk është e jashtëligjshme, por dhënia e ilaçeve ose ndihma për t'i marrë ato është krim që dënohet me burgim deri në tre vjet.

“Ekipi i Ëndrrave të Abortit”

Wydrzyńska, nënë e tre fëmijëve, bashkëthemeloi Ekipin e Ëndrrave të Abortit në vitin 2016. Organizata bazë u ofron grave polake informacion dhe mbështetje, duke përfshirë mënyrën e blerjes së pilulave për abortin. Aktivistët e të drejtave të njeriut e shohin rastin e saj si një precedent. Ata kanë frikë se kjo do t'i dekurajojë të tjerat si ajo që të ndihmojnë gratë të ndërpresin shtatzëninë e tyre.

“Justyna është aktivistja e parë që dënohet për ofrimin e mbështetjes për abortin. Ndjekja penale e autoriteteve polake kundër saj është e turpshme”, thotë Eve Geddie, drejtoreshë e Zyrës së Institucioneve Evropiane të Amnesty International.

Ekipi i Ëndrrave të Abortit thotë se statistikat zyrtare që pretendojnë se 107 aborte janë kryer në Poloni – vend me afro 40 milionë banorë – gjatë gjithë vitit 2021 janë për të qeshur. Grupi thotë se çdo ditë ndihmon rreth 100 gra të kenë qasje në pilula dhe gjashtë apo shtatë të tjera të udhëtojnë jashtë vendit për të kryer abort.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë pak më shumë se një vit më parë, miliona njerëz kanë kërkuar strehim në Poloni. Akuzat për dhunë seksuale të kryera nga ushtarët rusë janë të shumta. Organizata thotë se ka ndihmuar rreth 2 mijë gra që pretendonin se ishin ukrainase.

“Ne nuk bëjmë pyetje”, thotë Natalia Broniarczyk, një tjetër aktiviste e Ekipit të Ëndrrave e cila ishte në Bruksel me Wydrzyńskan duke kërkuar mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Ndjekja penale

Hapi tjetër për Wydrzyńskan është apelimi. Në vend të burgut, ajo u dënua me 30 orë punë publike në muaj për 10 muaj. Ajo thotë se ka marrë mesazhe solidariteti nga shumë gra, duke përfshirë ofertat për të vuajtur dënimin në vend të saj.

Nuk ka gjasa që apeli i saj të dëgjohet së shpejti. Polonia është në modalitetin e fushatës përpara zgjedhjeve që priten në vjeshtë. Sondazhet tregojnë se partia konservatore Ligji dhe Drejtësia, e cila ka qeverisur vendin që nga viti 2015, ka fituar shumicën e votave, por nuk ka një shumicë në parlament.

Sondazhet tregojnë gjithashtu se shumica e polakëve mbështesin ligje më liberale për abortin dhe kufizimet gjyqësore mbi të drejtat e abortit shkaktuan demonstratat më të mëdha në rrugë në Poloninë postkomuniste. Por pozicionet thellësisht konservatore të partisë në pushtet shpesh luajnë mirë me pjesë të caktuara të elektoratit.

“Gjyqtarja që dënoi Justynan u emërua në mënyrë të parregullt dhe u ngrit në detyrë në të njëjtën ditë kur ajo dha vendimin. Ne nuk kemi asnjë dyshim se ndjekja penale e Justynas ishte e motivuar politikisht”, thotë Geddie.

Seancat ishin të lodhshme dhe të paparashikueshme, thotë Wydrzyńska. Pas fillimit të gjyqit, prokurorët prezantuan si provë të re një video të vërejtjeve që ajo i bëri parlamentit polak për abortin.

"Ndihem shumë e lodhur, sepse kërkon shumë forcë për t'u përballur me këtë sistem juridiksioni ... por në të njëjtën kohë jam shumë e zemëruar", tha ajo, duke folur në anglisht. “Është situata sikur luani me dikë me letra dhe letrat e tij janë të shënuara disi. Ndihem sikur jam mashtruar”.

Ania duhej të dëshmonte në gjykatë. Wydrzyńska thotë se është krenare për të për qëndrimin e saj.

“Ajo ishte kaq e guximshme, me të vërtetë, dhe ishte kaq e sinqertë”, thotë Wydrzyńska. “Kjo tregoi se puna jonë është kaq e rëndësishme dhe ishte momenti kur kuptova se ... edhe nëse marr një dënim me burg, ne duhet ta bëjmë atë, pavarësisht se çfarë ndodh”.

Një ditë ajo do të donte të takonte Anian, këtë grua me të cilën ajo identifikohet aq mirë. “Shpresoj se së shpejti do të ketë një moment ku do të kemi këtë mundësi të ulemi në një vend të qetë dhe (të ndajmë) historitë tona”, thotë Wydrzyńska.

Përktheu: Forca Jashari