Gjatë ceremonisë të vendosjes së kurorave në monumentin e viktimave të aksidenteve në miniera në Poloninë qendrore të hënën, gazetarët vunë re ministrin e Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, duke mbajtur një armë në brez.
Era që po frynte zbuloi se ministri Ziobro kishte një pistoletë Glock poshtë xhaketës. Polonia, si shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, ka rregulla strikte për blerjen e armëve dhe shumë pak njerëz lejohen t'i posedojnë ose t'i mbajnë në publik.
Kritikët në rrjetet sociale pretendojnë se ministri nuk është i sigurt për mbrojtjen që merr si personazh publik, por mbështetësit thonë se Ziobro, i cili është edhe kryeprokuror, ka marrë kërcënime me vdekje.
Ziobro ka thënë në konferencën për shtyp të martën se patentën e armës e mori pasi para disa vitesh kur u zbulua se kreu i krimit të organizuar bëri thirrje për vrasjen e tij, shkruan AP.
Burri, i identifikuar vetëm si Jan S., ndodhet në paraburgim prej disa vitesh dhe gjykimi i tij është në vazhdim.
“Ashtu si çdo qytetar, edhe unë kam çdo të drejtë të përdor mjete që garantojnë sigurinë time dhe të familjes time”, theksoi Ziobro.
Në një konferencë të veçantë për shtyp, kryeministri Mateusz Morawiecki ka thënë se të gjithë qytetarët, përfshirë ministrin e Drejtësisë, kanë të drejtë të përpiqen të marrin leje për të zotëruar një armë.
Më herët, Ziobro ka thënë se ushtron të shtënat në poligon në fundjavë si hobi. Ai pretendon se e kishte armën me vete sepse alternativa ishte ta linte në veturë, gjë që nuk lejohet. Ai shtoi se nuk mban gjithmonë armë me vete.
Ziobro, 52 vjeç, është kreu i një partie të vogël në koalicionin konservator në pushtet dhe ka pikëpamje të forta, duke përfshirë mbështetjen për dënimin me vdekje.
VIDEO: