Një personalitet i famshëm japonez i cili kishte arritur të fitonte ulësen e deputetit, është bërë ligjvënësi i parë që përjashtohet nga Parlamenti pa hyrë madje ende në të.
Yoshikazu Higashitani është dëbuar të martën nga kolegët e tij të senatit, për shkak se nuk kishte shkuar asnjëherë në punë.
Higashitani nuk e kishte ndjekur asnjë ditë të punës së sesionit parlamentar, që kur ishte zgjedhur deputet, shtatë muaj më parë. Komiteti disiplinor i Parlamentit ia ka hequr atij statusin e deputetit, për shkak të abstenimit të vazhdueshëm.
Votuesit e kishin zgjedhur Higashitanin në dhomën e lartë, korrikun e kaluar. Ai njihet më mirë si GaaSyy në YouTube, ku është i famshëm për videot e tij me thashetheme për shumë të famshëm.
Përjashtimi është dënimi më i rëndë që mund të marrë një ligjvënës. Ka ndodhur vetëm dy herë që nga viti 1950, dhe kjo është hera e parë që një deputet përjashtohet për shkak të mungesës së vazhdueshme.
Vendimi i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të zyrtarizohet më vonë gjatë kësaj jave.
Ligjvënësi i cili e ka marrë nofkën “Deputeti që nuk shfaqet”, besohet se jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ai deri më tani ka refuzuar të marrë pjesë në Parlament sepse ka frikë se do të arrestohet për akuza nga të famshëm për mashtrim dhe pretendime për shpifje, raportojnë mediat japoneze.
Ai është një nga dy anëtarët e zgjedhur nga partia opozitare Seijika-joshi-48.