Disa udhëheqës ushtarakë shumë të vlerësuar e kishin tallur hapur Lulan para zgjedhjeve dhe disa madje bënë fushatë për të rizgjedhur Bolsonaron. Për muaj të tërë, ushtria i lejoi protestuesit kundër Lulas, të cilët mbështesnin hapur grusht shtetin ushtarak kundër tij, të qëndronin jashtë kazermave të tyre.
Kur protestuesit ia mësynë ndërtesave qeveritare të Brazilit në muajin janar për ta kundërshtuar emërimin e presidentit të zgjedhur, shumë ushtarë këqyrnin seri kur protestuesit e krahut të djathtë ekstrem thyenin xhamat, shkatërronin zyrat dhe artin me vlerë.
Pamjet nga Brazilia atë ditë ende janë ankth për Qeverinë e majtë të presidentit Luiz Inácio Lula da Silva. Që prej asaj dite, ai ka bërë përpjekje që t’i bindë liderët ushtarakë se duhet të mbrohet demokracia e një prej shteteve më të mëdha të Amerikës Latine dhe se duhet të qëndrojnë larg politikës.
Kërcënimi nuk është vetëm hipotetik. Brazili ka përjetuar katër grusht-shtete ushtarake – të fundit në vitin 1964, të pasuar me dy dekadat e diktaturës brutale.
Misioni i Lulas është fort i rëndë. Ushtria është e mbushur me përkrahës të ish-presidentit Jair Bolsonaro dhe roli i presidentit në Qeverinë e re po tkurret dita-ditës.
Lula tashmë ka përzgjedhur më shumë se 100 civilë për t’i zëvendësuar oficerët ushtarakë që Bolsonaro i kishte vendosur në pozita kyç dhe me shpejtësi ia ka besuar agjencinë e inteligjencës zyrës së shefit të stafit, si pjesë të ndryshmeve të mëdha në shtet.
“Lula duhet të menaxhojë marrëdhënien me ushtrinë me qëllim që të Qeverisë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, ka thënë Carlos Melo, profesor i shkencave politike në Insper University të San Paulos.
Melo ka shtuar se ushtria e Brazilit për kohë të gjatë ka besuar se është “një lloj i gardianit të proceseve politike të shtetit” dhe Bolsonaro ia ka forcuar këtë besim.
Bolsonaro, ish-ushtarak, kishte emëruar më shumë se 6 mijë zyrtarë të ushtrisë në punët qeveritare dhe ktheu përvjetorin e grusht shtetit të vitit 1964 për ta ngjallur nostalgjinë për ditët kur sundonte ushtria në Brazil.

Përvjetori i grusht shtetit
Edhe pse kjo epokë mbahet mend për abuzimet e të drejtave të njeriut dhe humbje të lirive civile, Bolsonaro dhe shumë nga mbështetësit e tij e kujtojnë me dashuri atë si kohë të nacionalizmit të fortë, rritjes ekonomike dhe vlerave konservatore. Ata përpjekjet e Lulas për ta zbutur ushtrinë i shohin si të rënda dhe të gabuara.
“Ndaloni së shikuari nga pasqyra e pasme dhe qeverisni për të gjithë brazilianët”, ka thënë në një intervistë ish-zëvendëspresidenti i Bolsonaros, gjenerali Hamilton Mourão, i cili tani është senator.
Lëvizja më domethënëse që Lula ka bërë deri tani ka qenë ngritja e gjeneralit Tomás Paiva në pozitën e komandantit më të lartë të ushtrisë.
Paiva, 62 vjeç, është zotuar t’i mbajë ushtarët jashtë politikës dhe t’i respektojë rezultatet e zgjedhjeve të tetorit, në të cilat Lula mposhti Bolsonaron me diferencë të vogël votash.
Megjithatë, Paiva e ka pranuar gjithashtu se shumica e udhëheqësve të ushtrisë votuan për Bolsonaron dhe u ankua për fitoren e Lulas vetëm tri ditë përpara se presidenti i ri t'i telefononte për t'i ofruar atij pozitën e re - komente për të cilat më vonë tha se ishin keqinterpretuar.
Lula ka ndërmarrë hapa të tjerë të ndryshëm që synojnë të forcojnë Brazilin nga rreziku i një kryengritjeje tjetër të dhunshme me të paktën mbështetje të heshtur nga disa në ushtri:
— Ai bllokoi emërimin e besnikut të Bolsonaros për të komanduar batalionin Goiania, i vendosur vetëm 124 milje larg kryeqytetit.
— Ai vendosi agjencinë e inteligjencës së vendit – e mbikëqyrur më parë nga anëtarët e ushtrisë – nën zyrën e shefit të shtabit të tij, i cili drejtohet nga civilë.
— Ai bëri një udhëtim simbolikisht të rëndësishëm në SHBA. Shteti amerikan para zgjedhjeve kishte paralajmëruar udhëheqësit ushtarakë brazilianë që të largoheshin nga politika nëse dëshironin qasje në blerjet e armëve dhe bashkëpunimin me forcat e armatosura amerikane.
Për momentin, nuk ka asnjë provë për kryengritje tjetër që po planifikohet apo për drejtues ushtarakë që vënë në dyshim urdhrat e Lulës, sipas një zyrtari të lartë në ushtri dhe një personi që punon ngushtë me ministrin e mbrojtjes, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse ata nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht.
Bashkëpunimi me ushtrinë
Lula kërkoi bashkëpunimin e ushtrisë dy herë në shkurt: si pjesë e një operacioni masiv për të dëbuar rreth 20 mijë minatorë të paligjshëm nga zona indigjene Yanomami në Amazonën e Brazilit dhe për të ndihmuar në shpëtimin e njerëzve pas rrëshqitjeve të dheut pranë Sao Paulos.
Këto përfaqësonin testet e hershme të marrëdhënieve midis Lulas dhe ushtrisë dhe rezultatet ishin shumë pozitive, ka thënë konsulenti politik Thomas Traumann. Megjithatë, nuk ka asnjë garanci për stabilitet afatgjatë, ka shtuar ai.
Mbetet për t'u parë nëse do të ndëshkohen pensionistët ushtarakë dhe pjesëtarët e shërbimit aktiv që ose morën pjesë në trazirat e 8 janarit ose mbyllën sytë para tyre. Disa analistë besojnë se kjo do të ishte e rëndësishme për të penguar veprimet e ardhshme.
Një video nga 8 janari tregoi policët në pallatin presidencial në pozicionin e rrallë të britmave ndaj ushtarëve: “Udhëhiqni trupat tuaja!” një polic u bërtiste anëtarëve të gardës presidenciale, e cila është pjesë e ushtrisë.
Një video tjetër tregonte dhjetëra rebelë të rrethuar nga policia në pallat, si një përpjekje e përgjithshme për t'i liruar ata. “A jeni të çmendur?”, pyet një polic. “Ata janë në paraburgim!”
Qindra civilë që morën pjesë në trazirat janë burgosur dhe ndaj disa prej tyre janë ngritur akuza. Mirëpo pjesëtarët e shërbimit deri më tani janë kursyer. Zyra e Prokurorisë ushtarake dhe gjykata e lartë ushtarake kanë hapur 17 hetime, megjithëse asnjëra nuk ka qenë transparente për procesin.
Kryetari i ardhshëm i Gjykatës së Lartë Ushtarake të Brazilit, Joseli Camelo, ka thënë se u inkurajua kohët e fundit kur ushtria anuloi planin për të përkujtuar përvjetorin e ardhshëm të grushtit të shtetit të vitit 1964, traditë e kohës së diktaturës që Bolsonaro ringjalli.
“Ky është vetëm një demonstrim tjetër që komandanti është në linjë me të gjitha fuqitë drejt sfidës sonë të përbashkët, që është të qetësojmë Brazilin dhe të përforcojmë përfundimisht demokracinë në vendin tonë”, ka thënë Camelo.
Mourão, ish-zëvendës presidenti i Bolsonaro, thotë se ushtria nuk duhet të kursejë asnjë nga anëtarët e saj që janë provuar fajtorë për pjesëmarrje në trazira. “Forcat e armatosura janë formuar për të qenë rigoroze në hetimin e gabimeve disiplinore dhe krimeve ushtarake”, ka thënë ai.
Edhe përpara se të merrte detyrën në janar, Lula – i cili shërbeu si president nga 2003-2010 – e dinte se ishte thelbësore për të që të forconte lidhjet me ushtrinë e vendit me prirje të djathtë.
Disa udhëheqës ushtarakë shumë të vlerësuar e kishin tallur hapur Lulan para zgjedhjeve, dhe disa madje bënë fushatë për të rizgjedhur Bolsonaron. Për muaj të tërë, ushtria i lejoi protestuesit kundër Lulas, të cilët mbështesnin hapur grusht shtetin ushtarak kundër tij, të qëndronin jashtë kazermave të tyre.
Në dy mandatet e para presidenciale të Lulas, marrëdhënia e tij me ushtrinë u shënua nga pajtimi dhe jo konfrontimi, ka thënë Fabio Victor, gazetar që sapo ka botuar librin më të shitur mbi forcat e armatosura dhe politikën e Brazilit. Por 8 janari duket se ka ndryshuar llogaritjen e tij.
Në kontrast me administratën e Bolsonaro, pak anëtarë të forcave të armatosura punojnë në pallatin presidencial, ka thënë Victor. Me një sy nga e ardhmja, aleatët e Lulas në Kongres po bëjnë presion për ndryshime kushtetuese që do të përcaktojnë më qartë fuqitë dhe kufijtë e ushtrisë dhe ministrat e tij po shohin rishikimin e arsimit ushtarak.
“Lula sot është shumë dyshues për ushtrinë”, ka thënë Victor.
Përktheu: Gent Mehmeti