Kamionë, automjete emergjente dhe ekskavatorë u rreshtuan në rrugët e shkreta të Antakyas së Turqisë, pasi tërmeti i tretë i madh në dy javë përshpejtoi një eksod nga qyteti dikur i gjallë.
Në rrugët e errëta, fenerët e kalimtarëve zbuluan grumbuj rrënojash, korniza dritaresh të thyera dhe armaturë të ngatërruar. Dritat vezulluese të kuqe dhe blu nga automjetet ushtarake dhe policore reflektoheshin në fasadat e dhëmbëzuara të ndërtesave të pjerrëta, shkroi Reuters.
Zhurma e ekskavatorëve nëpër rrënoja jehonte nëpër rrugë ndërsa policët, ushtarët dhe ekipet e ndihmës shikonin përreth, të mbledhur të gjithë rreth zjarreve të vogla anash rrugëve. Herë-herë gërmimi do të ndalonte për punonjësit emergjentë për të inspektuar nëse ka trupa të tjerë.
“Kanë ikur të gjithë”, ka thënë Mehmet Ay, një i mbijetuar nga tërmeti i cili ka jetuar tërë jetën e tij në Antakya, e tash një nga të paktët që ka mbetur aty.
Nga distanca, peizazhi i mprehtë i atyre që dikur ishin ndërtesa të larta, tani duken si grumbuj.
“Rrugët tona kanë qenë si parajsë. Brenda një nate, gjithçka u shkatërrua”, ka shtuar Ay.

Saleem Fawakirji ka jetuar në Antakya për 12 vjet pasi iku nga Siria. Ai me gruan, dy vajzat dhe një djalë shpëtuan, por jo edhe njëri fëmijë tjetër.
Megjithatë, as ata dhe as Ay nuk kanë në plan që ta braktisin këtë qytet.
“Do të marrë kohë të gjatë, do të marrë vjet – por ne do ta rindërtojmë”, ka thënë Ay.
“Dashtë Zoti, do të bëhet më mirë se çka qenë”.