Ish-ambasadori i SHBA-së në Rusi, John Sullivan, ka treguar se si kishte tentuar të negocionte me Kremlinin dhe pse beson se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk do të dorëzohet lehtë në Ukrainë.
Sullivan, që ishte personi i SHBA-së në Moskë në periudhën pak para se të fillonte pushtimi rus i Ukrainës, në një intervistë për BBC-në ka treguar se si kishte tentuar të bindte zyrtarët rusë që ta evitonin luftën.
“Ata kërkonin garanci sigurie për Rusinë, por nuk donin të flisnin në mënyrë konstruktive për sigurinë e Ukrainës. Kurrë nuk kaluan përtej kërkesave të veta”, ka thënë Sullivan.
I pyetur nëse SHBA-ja duhet të punojë më fortë për të tentuar t’i japë fund luftës, Sullivan është përgjigjur: “Vladimir Putin nuk ishte i interesuar të negocionte para luftës. Ai ende nuk është i interesuar të negociojë”.
Ai ka thënë se administrata Biden është e foksuar për të mbledhur ndihma globale për armatim të Ukrainës dhe për ta sanksionuar Rusinë. Vetë SHBA-ja ka dërguar miliarda dollarë ndihma me armë për Ukrainën.
Putin në fjalimin e tij të martën, ka thënë se “Perëndimi nisi luftën” dhe se po e “përdor Ukrainën për t’i shkaktuar humbje strategjike Moskës”.
Ish-ambasadori i SHBA-së në Moskë, Sullivan, thotë se synimet e Kremlinit mbeten të njëjta “të largohet Qeveria në Kiev”.
“Ai nuk do që të ketë një Qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike në Kiev, veçanërisht një të drejtuar nga presidenti Volodymyr Zelensky. Ai kurrë nuk do të jetë i kënaqur përderisa në krye do të jetë ajo qeveri, pasi e sheh si rrezik për Rusinë dhe për vizionin e tij për një shtet më të madh rus që po tenton ta krijojë”, ka thënë Sullivan.
Sullivan thotë se e vetmja mënyrë që Putini të ndalë luftën është “që të bindet se nuk mund të fitojë”.
“Ai nuk do të tërhiqet derisa të kuptojë se nuk ka gjasa të fitojë. Nuk e di se sa të mëdha duhet të jenë humbjet në fushëbetejë për të që të arrijë në atë pikë. Por, ai nuk është as afër asaj pike sot”, ka thënë Sullivan.