Pas tërmetit, të mbijetuarit po përjetojnë ankthin tjetër, atë të pritjes për nxjerrjen e trupave nga rrënojat, teksa shumë të tjerë janë të shqetësuar me plaçkitjet që kanë nisur në rajonet e goditura nga tërmeti
Puna për të larguar trupat e të vdekurve nën rrënojat e ndërtesave në qytetin Antakya ka vazhduar edhe në ditën e dhjetë pas tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë.
Ata që i kanë mbijetuar tërmetit apokaliptik janë të detyruar të shikojnë kah ajo që ka mbetur nga shtëpitë e tyre.
I mbijetuari i tërmetit, Hamid Yakishkli, po priste që të nxirrej trupi i nënës nga rrënojat e shtëpisë në Antakya.
Thotë se nuk do të largohet nga qyteti pa gjetur nënën.
“Po presim për nënën. Ajo është ende aty. Në këto dhjetë ditë kemi fjetur në shkollë. Atje kemi vendosur një tendë dhe po presim që ta nxjerrim nënën. A është e mundur që të largohemi pa të? E pamundur. Nuk ndihemi mirë ta braktisim. Duhet ta gjejmë. Do ta nxjerrim dhe do ta varrosim, pastaj do të shohim se çfarë të bëjmë”, ka theksuar Yakishkli.
Ai dhe vëllai që ka ardhur nga Holanda, çdo ditë presin para rrënojave të shtëpisë në ditën kur numri i të vdekurve ka arritur në më shumë se 40 mijë.
Vetëm matanë rrugës, Gulsen Tonmez, një tjetër e mbijetuar e tërmetit, thotë se ka fjetur në një kioskë. Ajo po pret që të marrë një tendë, por deri atëherë, familja e saj pesëanëtarëshe do të flejë në kioskë.
“Të pasurit nuk janë si ne. Ata marrin familjen dhe ikin me automjet. Jo të pasurit qëndrojnë. Nuk mund të bëjmë më shumë”, është shprehur Tonez.
Tonmez kishte ikur në ditët e para, por u kthye nga frika se shtëpia e saj, ose ajo që ka mbetur, do të plaçkitej.
është shqetësimi i shumë të mbijetuarve në Antakya teksa po përballen edhe me vështirësitë e tjera në atë që ka mbetur në qytet. (Përgatiti Gent Mehmeti)