Botë

Zelensky kundër çdo marrëveshjeje me Rusinë që përfshin humbjen e territoreve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se e përjashton mundësinë e heqjes dorë nga ndonjë territor, në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.

Ai deklaroi të enjten për BBC-në se nëse pranon t’i jepet Rusisë ndonjë pjesë toke, agresioni “do të vazhdojë të kthehet”, ndërsa theksoi se vetëm armët perëndimore do të afrojnë paqen.

Zelensky u shpreh se një ofensivë e parashikuar pranverore ka nisur tashmë nga trupat ruse.

“Sulmet ruse po ndodhin tashmë nga disa drejtime...Sigurisht, armët moderne përshpejtojnë paqen. Armët janë e vetmja gjuhë që Rusia kupton”, tha presidenti ukrainas.

Zelensky përmendi edhe përfshirjen e mundshme të Bjellorusisë në luftë. Ai tha se Rusia do të gabonte shumë nëse do ta përdorte Bjellorusinë si stacion sulmi.

“Shpresoj se [Bjellorusia] nuk do t'i bashkohet luftës. Nëse ndodh, ne do të luftojmë dhe do të mbijetojmë. Lejimi i Rusisë që të përdorë Bjellorusinë si një stacion për një sulm përsëri do të ishte një gabim i madh”, u shpreh ai.

Ai përmendi se ka marrë një kërcënim nga kreu i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko, për t’u përfshirë në luftë krah Rusisë “nëse një ushtar i vetëm ukrainas kalon kufirin”.

“Sot, mbijetesa jonë është uniteti ynë. Unë besoj se Ukraina po lufton për mbijetesën e saj. Vendi po shkonte drejt Evropës ekonomikisht, si dhe përmes vlerave të saj. Ne zgjodhëm këtë rrugë. Ne duam garanci sigurie. Çdo kompromis territorial do të na bënte më të dobët si shtet. Nuk ka të bëjë me vetë kompromisin. Pse do të kishim frikë nga kjo? Ne kemi miliona kompromise në jetë çdo ditë. Pyetja është me kë? Me Putinin? Jo. Sepse nuk i besojmë. Dialog me të? Jo. Sepse nuk i besojmë”, deklaroi Zelensky.

Lideri ukrainas u takua javën e kaluar me liderët e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Bashkimit në përpjekje për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare dhe për të kërkuar armatim modern, në mbrojtje të Ukrainës.

Kur Zelensky kërkoi avionë luftarakë modernë, kryeministri britanik Rishi Sunak tha se “gjithçka po shqyrtohet” .

Autoritetet ukrainase të mbrojtjes kanë deklaruar javën e kaluar se çdo ditë të shkurtit, nga 200 rusë janë vrarë në frontet ukrainase. Këtë deklarim e ka mbështetur edhe Inteligjenca britanike.