Persona të armatosur sulmuan një spital në veri të Sirisë, ku një vajzë po merr kujdes pasi lindi nën rrënojat e shtëpisë së saj të shkatërruar nga tërmeti, tha një zyrtar i spitalit të martën, duke shtuar se sulmuesit rrahën drejtorin e klinikës.
Zyrtari mohoi raportet në mediat sociale që pretendonin se sulmi i së hënës mbrëma ishte një përpjekje për të rrëmbyer foshnjën, të quajtur Aya, që në arabisht nënkupton "një shenjë nga Zoti", raportoi Associated Press të martën.
Aya ndodhet në spital që disa orë pas tërmetit të 6 shkurtit që goditi Turqinë dhe Sirinë. Nëna, babai dhe katër motrat e saj vdiqën në katastrofë.
Aya është ndjekur nga afër që nga lindja e saj dhe njerëz nga e gjithë bota janë paraqitur që ta ndihmojnë e madje edhe që ta adoptojnë si fëmijë të tyre.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjeve, tha se drejtori i spitalit kishte dyshuar se një infermiere që po fotografonte Aya-n po planifikonte ta rrëmbente atë dhe e dëboi atë nga spitali.
Infermierja u kthye disa orë më vonë e shoqëruar nga persona të armatosur që rrahën drejtorin.
Personat e armatosur u thanë oficerëve të policisë lokale se nuk ishin të interesuar për Aya, sipas zyrtarit.
Disa njerëz janë shfaqur duke pretenduar rrejshëm se ishin të afërm të Aya-s, duke nxitur policët lokalë ta ruanin atë.
Nëna e Aya-s vdiq pasi e lindi atë si pasojë e tërmetit 7.8 ballë që goditi Turqinë dhe Sirinë. Në tërmet u vranë edhe babai i saj dhe katër vëllezërit e motrat.
Aya mund të jetë në gjendje të largohet nga spitali sa më shpejt të martën ose të mërkurën, sipas xhaxhait të saj, Saleh al-Badran. Ai tha se halla e foshnjës, e cila së fundmi lindi dhe i mbijetoi tërmetit, do ta rrisë atë.
Punonjësit e shpëtimit në qytetin verior të Sirisë, Jinderis, zbuluan vajzën me flokë të errët më shumë se 10 orë pas goditjes së tërmetit, teksa po gërmonin rrënojat e ndërtesës pesëkatëshe ku jetonin prindërit e saj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.