Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka konfirmuar se karvani i parë i ndihmave të OKB-së ka arritur në veri-perëndim të Sirisë, raportoi të enjten BBC-ja.
Mirëpo, ai ka shtuar se nevojitet shumë më tepër ndihmë për zonën e kontrolluar nga rebelët.
Në një deklaratë, Guterres ka thënë se autokolona përbëhej nga gjashtë kamionë që mbanin strehim dhe furnizime të tjera ndihmash të nevojshme.
"Më shumë ndihmë është rrugës, por nevojiten shumë më tepër, shumë më tepër. Duhet t'i vendosim njerëzit në radhë të parë”, ka thënë ai.
Kjo deklaratë e tij u dha pasi organizata lokale vullnetare siriane, Helmetat e Bardha, postoi në Twitter zhgënjimin e tyre që pajisjet e nevojshme për përpjekjet e shpëtimit ajror nuk ishin dërguar me kolonën.