Botë

Zelensky në Paris: Franca dhe Gjermania mund t’i ndryshojnë rregullat e lojës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të enjten vizitoi Parisin, ku u takua me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Në një takim në Paris, presidenti ukrainas u bëri thirrje liderëve të Francës dhe Gjermanisë që të dërgojnë “armë të rënda me rreze të gjatë”. Macron dhe Scholzi riafirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën.

Zelensky ka thënë në një konferencë të përbashkët për shtyp se Franca dhe Gjermania janë të afta të ndryshojnë rregullat e lojës në konfliktin me Rusinë.

“Gjithçka është e qartë. Sa më shpejt që Ukraina të marrë armë të fuqishme me rreze të gjatë, Emanuel, sa më shpejt pilotët tanë të marrin avionë modernë, Olaf, sa më i fortë të jetë koalicioni ynë i tankeve, aq më shpejt do të përfundojë ky agresion rus dhe ne do të kthejmë një paqe të sigurt në Evropë. Ju jam mirënjohës pse keni shkuar në këtë rrugë”, ka thënë Zelensky.

Më herët, gjatë një vizite në Londër, Zelensky i bëri një kërkesë të ngjashme qeverisë britanike për avionë luftarakë.