Botë

Qyteti i luleve, epiqendër e dhunës në Pakistan

Peshawari - më pak se 30 kilometra nga kufiri afgan - u bë qendra ku CIA amerikane dhe ushtria pakistaneze ndihmuan në trajnimin, armatosjen dhe financimin e muxhahedinëve afganë që luftonin kundër sovjetikëve. Qyteti u përmbyt nga armë dhe luftëtarë, shumë prej tyre militantë islamikë të linjës së ashpër, si dhe me qindra mijëra refugjatë afganë

(AP) - Peshawari i Pakistanit dikur njihej si “qyteti i luleve”, i rrethuar nga pemishte me dardha, ftua dhe shegë. Ishte qytet tregtar, i vendosur në portat e një lugine malore kryesore që lidh Azinë Jugore dhe Qendrore.

Por për katër dekadat e fundit ka mbajtur barrën e militantizmit në rritje në rajon, të nxitur nga konfliktet në Afganistanin fqinj dhe lojërat gjeopolitike të fuqive të mëdha.

Të martën qyteti me popullsi prej rreth 2 milionë banorësh u trondit pas një prej sulmeve militante më shkatërruese të Pakistanit në vite. Një ditë më parë, një sulmues vetëvrasës shpërtheu një bombë në një xhami brenda kompleksit kryesor të policisë së qytetit, duke vrarë të paktën 100 njerëz dhe duke plagosur të paktën 225, kryesisht policë.

Analistët thonë se masakra është trashëgimi e dekadave të politikave të gabuara nga Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara. “Atë që mbillni, do të korrni”, tha Abdullah Khan, një analist i lartë i sigurisë.

Image

Qendër e CIA-s

Peshawari ishte vend paqësor, tha ai, deri në fillim të viteve 1980, kur diktatori i atëhershëm i Pakistanit, Ziaul Haq, vendosi të bëhej pjesë e luftës së ftohtë të Washingtonit me Moskën, duke iu bashkuar luftës kundër pushtimit sovjetik të vitit 1979 në Afganistanin fqinj.

Peshawari - më pak se 30 kilometra nga kufiri afgan - u bë qendra ku CIA amerikane dhe ushtria pakistaneze ndihmuan në trajnimin, armatosjen dhe financimin e muxhahedinëve afganë që luftonin kundër sovjetikëve. Qyteti u përmbyt nga armë dhe luftëtarë, shumë prej tyre militantë islamikë të linjës së ashpër, si dhe me qindra mijëra refugjatë afganë.

Edhe militantët arabë u tërhoqën atje nga lufta kundër sovjetikëve, duke përfshirë pasardhësit e një familjeje të pasur saudite, Osama bin Laden. Ishte në Peshawar aty ku Bin Ladeni themeloi “Al-Qaidan” në fund të viteve 1980, duke bashkuar forcat me militantin veteran egjiptian Ayman al-Zawahri.

Sovjetikët më në fund u tërhoqën me humbje nga Afganistani në vitin 1989. Por trashëgimia e militantizmit dhe rezistencës së armatosur që SHBA-ja dhe Pakistani nxitën kundër tyre mbeti.

“Pas tërheqjes ruse nga Afganistani në vitet 1980, amerikanët braktisën muxhahedinët, amerikanët madje na braktisën ne dhe që atëherë ne po paguajmë një çmim për të”, tha Mahmood Shah, një ish-brigadier i ushtrisë pakistaneze dhe një analist i lartë i sigurisë.

Muxhahedinët e zhytën Afganistanin në luftë civile, në një luftë të përgjakshme për pushtet. Ndërkohë në Peshawar dhe në një qytet tjetër pakistanez, Quetta, talebanët afganë filluan të organizohen, me mbështetjen e qeverisë pakistaneze. Përfundimisht, talebanët morën pushtetin në Afganistan në fund të viteve 1990, duke sunduar derisa u rrëzuan nga pushtimi i udhëhequr nga Amerika në vitin 2001 pas sulmeve të 11 shtatorit të “Al-Qaidas” në SHBA.

Gjatë luftës gati 20-vjeçare të SHBA-së kundër kryengritjes talebane në Afganistan, grupet militante lulëzuan në rajonet fisnore të Pakistanit përgjatë kufirit dhe rreth Peshawarit. Ashtu si talebanët, ata gjetën rrënjë në mesin e pashtunëve etnikë që përbëjnë shumicën në rajon dhe në qytet.

Disa grupe u inkurajuan nga agjencitë e inteligjencës pakistaneze. Por të tjerët i kthyen armët kundër qeverisë, të zemëruar nga goditjet e forta të sigurisë dhe nga sulmet e shpeshta ajrore të SHBA-së në rajonin kufitar që synonin “Al-Qaidan” dhe militantët e tjerë.

Shefi i grupeve antiqeveritare ishin talebanët pakistanezë ose Tahreek-e Taliban-Pakistani ose TTP-ja. Në fund të viteve 2000 dhe në fillim të viteve 2010, ata zhvilluan një fushatë brutale dhune në të gjithë vendin. Peshawari ishte skena e një prej sulmeve më të përgjakshme të TTP-së në vitin 2014, në një shkollë publike të drejtuar nga ushtria që vrau afro 150 njerëz, shumica prej tyre nxënës shkolle.

Image

Lidhja me Azinë

Vendndodhja e Peshawarit për shekuj e ka bërë atë një pikë kyç midis Azisë Qendrore dhe nënkontinentit indian. Një nga qytetet më të vjetra në Azi, ai qëndron në hyrje të kalimit të Khyberit, rruga kryesore midis dy rajoneve. Ky ishte një burim i prosperitetit të tij në tregti dhe e vuri atë në rrugën e ushtrive që shkonin në të dy drejtimet, nga perandorët moghul te imperialistët britanikë.

Një ofensivë e rëndë ushtarake e shkatërroi kryesisht TTP-në për disa vjet dhe qeveria dhe militantët përfundimisht arritën një armëpushim jo të lehtë. Peshawari u vu nën kontroll të fortë sigurie, me postblloqe të vendosura në rrugët kryesore dhe një prani të madhe të policisë dhe trupave paraushtarake.

Sulmet e TTP-së, megjithatë, janë rritur edhe një herë që kur talebanët afganë u kthyen në pushtet në Kabul në gusht të vitit 2021 në mes të tërheqjes së SHBA-së dhe NATO-s nga ai vend. Talebanët pakistanezë janë të ndryshëm, por janë aleatë të grupit afgan, dhe zyrtarët pakistanezë akuzojnë rregullisht talebanët afganë se i kanë dhënë fre TTP-së për të vepruar nga territori afgan.

Përpara sulmit vetëvrasës të së hënës, Peshawari kishte parë sulme në shkallë të vogël që synonin policinë. Në një tjetër përhapje nga konflikti i Afganistanit, dega rajonale e grupit të Shtetit Islamik sulmoi xhaminë kryesore shiite të Peshawarit në mars të vitit 2022, duke vrarë më shumë se 60 njerëz.

Shah, ish-oficeri, paralajmëroi se mund të pasonin më shumë sulme të TTP-së dhe tha se Pakistani duhet të angazhojë talebanët afganë dhe t'i bëjë presion që ose ta dëbojnë TTP-në, ose të sigurohet që të mos nisë sulme nga territori afgan.

“Nëse duam të kemi paqe në Pakistan, duhet të flasim me TTP-në nga pozicioni i forcës me ndihmën e talebanëve afganë”, tha ai. "Kjo është zgjidhja më e mirë dhe e zbatueshme për të shmangur më shumë dhunë".

Përktheu: Forca Jashari