Botë

CNN: Tri javë dhe 39 të shtëna masive - kjo është Amerika e fillimvitit

Të paktën shtatë persona kanë vdekur në Half Moon Bay, Kaliforni, në të shtënat e dyta masive në këtë shtet brenda 48 orësh. I dyshuari për të shtënat e së hënës në pjesën veriore të shtetit është kapur.

Të shtunën mbrëma, të paktën 11 persona u vranë dhe të tjerë u plagosën pas të shtënave masive në Monterey Park, Kaliforni. Të shtënat ndodhën, ndërsa komuniteti i madh aziatik amerikan i qytetit po festonte fundjavën e Vitit të Ri Hënor.

Shumë gjëra mbeten të panjohura, por skenat e agonisë dhe tmerrit janë gjithnjë e më shumë të njohura në Amerikë. Në fakt, të shtënat masive të së hënës u bashkohen 38 të tjerave brenda vetëm tri javëve të para të vitit 2023, sipas Arkivit të Dhunës me Armë.

Komunitetet e caktuara po tronditen ndërsa të tjerët përgatiten për mundësinë e një dhune të tillë në oborret e tyre. Por se si ndodh kjo me një Kongres të ndarë, me platforma shumë të ndryshme politike dhe me një kulturë të rrënjosur thellë të armëve, mbetet për t'u parë, analizon televizioni CNN.

Nga viti 2015 deri në vitin 2020, ka pasur të paktën 2.070 të shtëna të paqëllimshme nga fëmijët nën 18 vjeç në SHBA, sipas një raporti nga Everytown. Këto të shtëna rezultuan me 765 të vdekur dhe 1.366 të plagosur.

Një studim i botuar në fund të vitit të kaluar në JAMA Network Open analizoi vdekjet nga armët e zjarrit gjatë tri dekadave të fundit - një total prej më shumë se 1 milion jetësh të humbura që nga viti 1990.

Amerikanët janë të armatosur si pak të tjerë. Ka rreth 393 milionë armë zjarri në pronësi private në SHBA – apo 120 armë për çdo 100 amerikanë.

Rreth 45% e të rriturve amerikanë thonë se jetojnë në një familje me armë, sipas një sondazhi të Gallup të tetorit 2022.