Botë

Frika nga Kina - Tajvani lejon gratë të trajnohen për rezerviste

Ushtria e Tajvanit bëri të ditura të martën planet për të lejuar gratë që për herë të parë të marrin pjesë në trajnimin për rezervistë.

Vendimi ka ardhur në kohën kur Kina po vazhdon ta rrisë presionin ushtarak në ishullin e vetëqeverisur demokratik, raportoi CNN-i të mërkurën.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se do të lejojë 220 ushtarë femra të liruara të regjistrohen në trajnim duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti.

Gjeneral Major Yu Wen-cheng, nga Agjencia e Mobilizimit Mbrojtës Gjithëpërfshirëse e Ministrisë, tha se masa do të ishte në një bazë prove për këtë vit.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka thënë më parë se ka trajnuar vetëm rezervistë meshkuj, sepse nuk kishte kapacitet të mjaftueshëm për të akomoduar të dy gjinitë.

Ligjvënësit tajvanezë kishin thënë se përjashtimi i grave nga trajnimi rezervë përbën diskriminim gjinor.

Në dhjetor, Tajvani njoftoi se do të zgjasë periudhën e rekrutimit të detyrueshëm ushtarak për të gjithë burrat e kualifikuar, nga katër muaj në një vit, duke filluar nga viti 2024, dhe kërkesa do të zbatohet për burrat e lindur pas vitit 2005.

Tajvani ka një ushtri me 170 mijë personel, shumica prej të cilëve vullnetarë, derisa çdo vit trajnon rreth 120 mijë rezervistë, sipas CIA-së. Në vitin 2021, gratë përbënin 15 për qind të ushtrisë së Tajvanit.