Anju Khatiwada ishte bashkëpilote në aeroplanin e Yeti Airlines që u rrëzua të dielën, ku humbën jetën të gjithë 72 personat që ishin në aeroplan.
Aeroplani ishte rrëzuar në qytetin Pokhara, ndërsa vlerësohet si katastrofa më e rëndë ajrore në Nepal në 30 vjetët e fundit.
Khatiwada kishte humbur edhe bashkëshortin në një aksident ajror 16 vjet më parë.
Dipak Pokhrel kishte qenë bashkëpilot në aeroplanin e Yeti Airlines që ishte rrëzuar e ku humbën jetën po ashtu gjithë personat në aeroplan.
Anju Khatiwada kishte vendosur të ndiqte karrierën në aviacion pas kësaj.
E goditur nga vdekja e bashkëshortit, dhe me një fëmijë të vogël për ta rritur, Anju kishte vendosur të merrte mësime në fluturim të aeroplanit.
“Ishte një grua e përkushtuar e cila plotësoi atë që ëndërronte bashkëshorti i saj”, thotë Santosh Sharma, një anëtar i familjes, raporton BBC.
Dipak ishte në aeroplanin që po barte oriz e ushqim për në qytetin perëndimor Jumla, kur u rrëzua dhe shpërtheu në zjarr në qershor të vitit 2006, ndërsa humbën jetën gjithë nëntë personat në aeroplan.
Katër vjet më vonë Anju ishte rrugës për t’u bërë pilote, duke kaluar shumë pengesa për të ushtruar në SHBA. Me t’u kualifikuar, ajo iu bashkua Yeti Airlinesit.
Anju ishte vetëm një nga gjashtë gratë që kishte punësuar si pilote kompania ajrore Yeti dhe kishte fluturuar afro 6400 orë.
“Ishte kapitene në kompani dhe kishte bërë edhe fluturime solo. Ishte grua e guximshme”, thotë Sudarshan Bartaula nga Yeti Airlines.
Anju ishte rimartuar dhe ishte bërë nënë për herë të dytë, ndërsa vazhdoi ndërtimin e karrierës.
Familjarët dhe miqtë thonë se ajo adhuronte punën. Për që ajo dhe bashkëshorti i saj i parë vdiqën në tragjedi ajrore, është një tragjedi brenda një tragjedie.
Është ende e paqartë se çfarë shkaktoi aksidentin e të dielës.
Jashtë spitalit në Pokhara, familjet e viktimave po presin të marrin trupat për t’i varrosur.
Bhimsen Ban thotë se po shpreson ta marrë trupin e shoqes Nira e ta dërgojë në fshat për të përformuar ritualet e fundit.
Nira Chhantyal 21-vjeçare ishte këngëtare që shpesh fluturonte me Yeti Airlines.
Fluturimet me kosto të ulëta janë bërë të përballueshme dhe të preferuara për klasën e mesme.
Nira kishte qenë rrugës për në Pokhara për të performuar në një festival muzikor.
“Ishte një artiste shumë e talentuar dhe këndonte muzikë popullore. Nuk kam fjalë për të përshkruar humbjen”, thotë Bhimsen.