Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva është zotuar të ndëshkojë mbështetësit e ish-udhëheqësit të vendit, Jair Bolsonaro, pasi ata sulmuan Kongresin.
Mbështetësit e liderit të rrëzuar të ekstremit të djathtë sulmuan gjithashtu Gjykatën e Lartë dhe rrethuan pallatin presidencial, shkruan BBC-ja.
Por, policia rifitoi kontrollin e ndërtesave në kryeqytetin Brasilia mbrëmjen e së dielës pas disa orë përleshjeje.
Me të mbërritur në qytet, Lula vizitoi ndërtesën e Gjykatës së Lartë për të parë vetë dëmin.
Policia Civile tha se 300 persona janë arrestuar.
Guvernatori i qytetit, Ibaneis Rocha, është shkarkuar nga posti i tij për 90 ditë nga Gjykata e Lartë.
Gjykatësi Alexandre de Moraes e akuzoi atë për dështimin për të parandaluar trazirat dhe për “heshtje të dhimbshme” përballë sulmit. Rocha ka kërkuar falje për ngjarjet e së dielës.
Tubimet pro-demokracisë po thirren nga liderët dhe grupet e majta në të gjithë Brazilin.
Skenat dramatike, të cilat panë mijëra protestues të veshur me bluza dhe flamuj të verdhë të futbollit të Brazilit, pushtuan policinë dhe plaçkitën zemrën e shtetit brazilian, vijnë vetëm një javë pas inaugurimit të Lulës.
Udhëheqësi veteran i krahut të majtë u detyrua të shpallte fuqi emergjente përpara se të dërgonte gardën kombëtare në kryeqytet për të rivendosur rendin.
Ai urdhëroi gjithashtu mbylljen e qendrës së kryeqytetit, përfshirë edhe rrugën kryesore ku ndodhen ndërtesat qeveritare – për 24 orë.