Dy deputetë opozitarë senegalezë janë dënuar me gjashtë muaj burgim pasi kanë goditur në bark një deputete shtatzënë, gjatë debatit në Kuvend për buxhetin, raporton BBC.
Deputetët goditën Amy Ndiayen pasi ajo kritikoi një figurë fetare opozitare.
Gjykata po ashtu urdhëroi Mamadou Niangun dhe Massata Sambin t’i paguajnë Ndiayes 8100 dollarë dëmshpërblim.
Incidenti u kritikua gjerësisht dhe nxiti debat për të drejtat e grave në Senegal.
Në një video që është shpërndarë online, Samb shihet duke ecur drejt Amy Ndiayes dhe duke e goditur atë gjatë një seance më 1 dhjetor. Më pas ajo në kundërpërgjigje hedh një karrige, por në të njëjtën kohë goditet në bark nga depçuteti tjetër. Më pas filloi një përleshje masive në Parlament.
Amy Ndiaye, anëtare e koalicionit në pushtet Benno Bokk Yakaar, humbi ndjenjat pas sulmit dhe kishte frikë se mund të ketë humbur foshnjën.
Ndonëse është liruar nga spitali, “ajo është në gjendje shumë të vështirë”, ka thënë avokati i saj Baboucar Cisse.
Ndonëse kishte video-dëshmi, avokati i Niangut dhe Sambit, vazhdoi pretendimin se ata nuk e kanë sulmuar fizikisht.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.