Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret që lejon vendet perëndimore “jomiqësore” të paguajnë borxhet për gazin në valuta të huaja, shkruan CNN.
Shlyerja e borxheve nga vendet perëndimore nuk do të thotë rifillim i dërgesave të gazit rus, sipas dekretit.
Dekreti ndryshoi një vendim të mëparshëm të Putinit që kërkonte pagesën në rubla për shitjet e gazit nga vendet “jomiqësore”.
Më 31 mars, Putin ka thënë se “vendet jomiqësore” - ato që vendosën sanksione kundër Rusisë - duhet të paguajnë për furnizimet me gaz në rubla pasi ngrinë asetet valutore të bankës qendrore ruse për shkak të luftës në Ukrainë që filloi më 24 shkurt.
Në fund të prillit, Gazpromi shtetëror i Rusisë ndërpreu rrjedhën e gazit në Poloni dhe Bullgari për shkak të refuzimit të tyre për të paguar faturat në rubla.
Gazpromi ndaloi gjithashtu dërgesat për kompanitë energjetike që furnizonin Finlandën, Holandën, Danimarkën, Letoninë dhe Gjermaninë, me arsyetimin se ato nuk ishin në përputhje me sistemin e pagesës në rubla.