Botë

Profesori i Kabulit gris diplomat në televizion si protestë ndaj ndalimit për arsimimin e grave

Një profesor i Kabulit, ka grisur diplomat e tij në një emision televiziv që po transmetohej drejtpërdrejt në Afganistan, në shenjë proteste ndaj ndalimit të grave në arsimin e lartë nga talebanët, shkroi të enjten CNN-i.

Profesori Ismail Mashal, është themelues i Universitetit privat Mashal në Kabul dhe gjithashtu pedagog në Universitetin e Kabulit.

Me lot në sy dhe zërin që i dridhej, ai grisi diplomat gjatë një paraqitjeje në emisionin “Tolo News” në Afganistan.

“Nga sot nuk më duhen më këto diploma sepse ky vend nuk është vend për arsimim. Nëse motra ime dhe nëna ime nuk mund të studiojnë, atëherë unë nuk e pranoj këtë arsim”, tha ai duke shtuar se diplomat të cilat i shkatërroi ishin të nivelit master dhe doktoraturë.

Kjo sekuencë e paraqitjes së tij televizive është bërë virale.

Image

Talebanët njoftuan më 20 dhjetor se arsimi universitar për të gjitha studentet gra ishte pezulluar. Kjo vjen pas ndalimit të qeverisë për vajzat nga ndjekja e shkollës së mesme në mars të këtij viti.