Botë

Peruja në kaos, mbështetësit e Castillos së rrëzuar kërkojnë dorëheqjen e presidentes së re

Demonstratat mbi krizën politike të Perusë shpërthyen të dielën dhe u kthyen në vdekjeprurëse teksa mijëra njerëz u mblodhën në të gjithë vendin për ta kërkuar dorëheqjen e presidentes së tyre më të re, Dina Boluarte.

Protestuesit po kërkojnë gjithashtu caktimin e zgjedhjeve të përgjithshme për ta zëvendësuar atë dhe Kongresin, dhe lirimin e Pedro Castillos, të cilin ligjvënësit e rrëzuan nga presidenca. Protestat që tronditën Perunë u bënë më të dhunshme veçanërisht në zonat rurale.

Protestuesit në ato komunitete ia kanë vënë zjarrin një stacioni policor, kanë vandalizuar një aeroport të vogël të përdorur nga forcat e armatosura dhe kanë marshuar në rrugë.

Një djalë 15-vjeçar vdiq nga lëndimet e marra gjatë një proteste në një komunitet të largët në Ande, konfirmoi kongresmenia Maria Taipe Coronado, teksa bënte thirrje nga pallati legjislativ që Boluarte të dorëhiqej.