Botë

Kapen 4.6 tonë kokainë në një anije në Atlantik

Një anije braziliane me më shumë se 4.6 tonë kokainë është ndaluar në Oqeanin Atlantik nga marina franceze. Droga vlerësohet të ketë vlerë rreth 150 milionë euro, sipas një deklarate nga agjencia evropiane e policisë, Europol.

Sipas raportit, anija 21 metra e gjatë u ndalua më 30 nëntor gjatë rrugës për në Evropë në ujërat ndërkombëtare në brigjet e Sierra Leones. Europol, Qendra e Analizës dhe Operacioneve Detare për Drogën dhe autoritete nga Brazili, Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara morën pjesë në operacionin e përbashkët.

Hetimet për bandat kriminale të përfshira në të dy anët e Oqeanit Atlantik janë duke u zhvilluar, thuhet në deklaratë, transmeton Spiegel.

Vendet e Amerikës së Jugut, Kolumbia, Peruja dhe Bolivia janë ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë të kokainës. Organizatat kriminale në Brazil kontrollojnë tregun e drogës në vendin më të madh në Amerikën e Jugut, si dhe eksportet nga Brazili në Evropë.

Pjesa më e madhe e kokainës kontrabandohet në Shtetet e Bashkuara. Vitet e fundit ka pasur edhe konfiskime rekord në Gjermani dhe Holandë. Evropa është bërë një qendër për tregtinë e kokainës. Drogat e destinuara për në Azi, Lindjen e Mesme dhe Australi gjithashtu shpesh dërgohen fillimisht në Evropë, sepse kontejnerët nga atje kontrollohen më pak para udhëtimit të mëtejshëm.