Komisioni i të Vërtetës dhe Bashkimit i Koresë së Jugut do të hetojë rastet e dhjetëra adoptimeve të jug-koreanëve në Evropë dhe SHBA që dyshohet se origjina e tyre ishte falsifikuar ose fshehur gjatë një vale eksporti të fëmijëve në shekullin 20.
Vendimi hap atë që për Korenë e Jugut mund të jetë hetimi më i madh për adoptimet e huaja, ndërsa zemërimi mbi prishjen e lidhjeve familjare rritet, ndërsa tash fëmijët e rritur kërkojnë vëmendjen e qeverisë, raportoi The Guardian.
Jug-koreanët e adoptuar besohet të jenë diaspora më e madhe në botë e të adoptuarve. Në gjashtë dekadat e fundit rreth 200,000 jug-koreanë – shumica vajza – u adoptuan jashtë vendit. Shumica u vendosën me prindër të racës së bardhë në SHBA dhe Evropë gjatë viteve 1970 dhe 1980.
Komisioni të enjten vendosi të hetojë 34 adoptime që ishin dërguar në Danimarkë, Norvegji, Holandë, Gjermani, Belgjikë dhe SHBA nga 19600 deri në fillim të viteve 1990. Të adoptuarit kanë thënë se ata janë hequr nga familjet e tyre padrejtësisht përmes dokumenteve të falsifikuara dhe praktikave korruptive.
Ata ishin në mesin e 51 të adoptuarve të cilët së pari paraqitën aplikimet në komision dhe më pas ky grup u rrit në mbi 300.
Gjatë periudhës për të cilën bëhet fjalë, vendi drejtohej në vazhdimësi nga liderë ushtarakë të cilët i panë adoptimet si mënyrë për t’i thelluar lidhjet me perëndimin, ndërkohë duke zvogëluar numrin e gojëve për të ushqyer dhe duke hequr pjesën e padëshiruar të shoqërisë, përfshirë fëmijët e nënave të pamartuara dhe jetimët.
Shumica e të adoptuarve të dërguar jashtë ishin regjistruar si jetimë të lënë nëpër rrugë, dizajn që e bëri procesin e adoptimit më të lehtë.
Të adoptuarit duan që komisioni të tregojë nëse qeveria ishte përgjegjëse për praktikat e korruptuara dhe nëse adoptimet ishin të mbushura nga pagesa të majme dhe donacione nga prindërit birësues.
© KOHA.