Botë

Dy indianë dhunuan dhe vranë një turiste letoneze, dënohen me burgim të përjetshëm

Një gjykatë në Indi ka dënuar dy burra me burgim të përjetshëm për dhunim dhe vrasje të një turisteje letoneze në vitin 2018.

Gruaja 33-vjeçare, e cila ishte në një udhëtim me motrën e saj në Indi, ishte zhdukur nga një resort në shtetin jugor të Keralas, më 14 mars të vitit 2018, raportoi BBC-ja të martën.

Trupi i saj është gjetur 38 ditë më vonë në një pyll të izoluar në qytetin e Kovalamit.

Pas gjetjes së trupit, ishin arrestuar dy burra të dyshuar për rastin, njëri prej të cilëve kryente punën si udhërrëfyes për turistët.

Ata janë shpallur fajtorë në një seancë gjyqësore të martën.

Gjykata e cila ka nisur gjykimin gjashtë muaj më parë, kishte gjetur se Umesh 32 vjeç dhe Udayakumar, 28-vjeçar, e kanë joshur turisten me marihuanë dhe e kanë “droguar atë rëndë” para se ta dhunonin.

Dy burrat janë dënuar po ashtu për shitje dhe abuzim me substancat narkotike, sipas Ligjit për lëndët narkotike dhe substancat psikotrope.

Gjykata në verdiktin e saj ka thënë se burrat do të mbesin prapa grilave deri në fund të jetës.